Sondazhi: Shqiptarët besojnë tek politika

19/11/2010 00:40

Instituti i njohur i sondazheve Gallup, në bashkëpunim me Qendrën për Politika Europiane dhe Fondin Europian për Ballkanin, bënë publike në Bruksel rezultatet e sondazhit “Ballkan Monitor 2010”.

Për secilin prej vendeve të Ballkanit sondazhi ndahet në disa kategori, si kushtet e jetesës, qeverisja dhe korrupsioni, ekonomia, Bashkimi Europian, udhëtimi dhe vizat, besimet fetare, etj.

Kapitulli ku jepet përmbledhja me sondazhet për Shqipërinë titullohet: “Me ekonominë në gjendje të keqe, shqiptarët kanë besim tek politikanët e tyre dhe tek Bashkimit Europian”.

Në vitin 2010  vetëm pak shqiptarë kanë pranuar se kanë marrë nga të afërm jashtë shtetit çka dëshmon për peshën në rënie të reminitancave në ekonominë shqiptare.

31.3 përqind e shqiptarëve i cilësojnë kushtet ekonomike si të shkëlqyera apo të mira, 42.3 përqind të mjaftueshme dhe vetëm 22.8 përqind e shqiptarëve të intervistuar mendojnë se kushtet ekonomike të vendit janë jo të mira. 49.6 përqind e të anketuarve janë të kënaqur nga standartet e jetesës dhe 47.6 përqind të pakënaqurit nga standartet e jetesës.

Megjithatë shqiptarët kanë besim tek klasa politike. Mbështetja për klasën politike është rritur në raport me vitin e shkuar. Në 2010 48 përqind e shqiptarëve thonë se i mbështesin udhëheqësit e tyre, 48.3 përqind mbështesin klasën politike kurse 40.2 përqind janë të pakënaqur nga ajo.

Në rastin e kryeministrit duket se janë më shumë të pakënaqurit nga puna e tij, 47.1 përqind përkundrejt 42.7 përqind të kënaqur. Por në tërësinë e punës së qeverisë si kabinet, shqiptarët vetëm 22 përqind mendojnë se ajo ka qenë jo e mirë, 37.4 përqind mendojnë se puna e qeverisë ka qenë e mjaftueshme dhe 38.6 përqind mendojnë se ka qenë e shkëlqyer apo e mirë.

Në përgjithësi shqiptarët janë të kënaqur edhe nga qeverisja lokale. 42.2 përqind mendojnë se pushteti lokal shkëlqyeshëm ose mirë, 36.2 përqind mjaftueshëm dhe vetëm 17.3 përqind të pakënaqurme qeverisjen lokale.

Nga institucionet më të besueshme mbetet Presidenti i Republikës, 61.6 përqind e shqiptarëve kanë besim tek ai, kurse 71 përqind kanë besim tek mediat, ndërkohë që besimi tek gjyqësori vetëm 31 përqind ka shënuar një rënie me 13 pikë në krahasim me vitin e shkuar.

Mbëshetja e shqiptarëve për BE-në mbetet një ndër më të lartat në rajon, me mbi 81 përqind, që përfaqësone dhe 8 pikë përqindje më pak se vitin e shkuar. Megjithatë në rast të një referendumi për në BE një shumicë e gjerë prej 93 përqind e shqiptarëve do të votonte pro anëtarësimit.

Megjithë një rënie të lehtë, Shqipëria akoma ka nivelet më të larta, 49 përqind e të intervistuarve që deklarojnë se iu desh të korruptonin dikë gjatë vitit që i parapriu këtij sondazhi.

35 përqind e shqiptarëve, më shumë se çdo vend tjetër i rajonit mendojnë se niveli i krimit të organizuar është në rënie.

Ndërkohë ka rënie edhe numri i njerëzve që mendojnë të largohen nga vendi. Në vitin 2010 42 përqind thanë se do të dëshironin të largoheshin, megjithatë vetëm 6 përqind e tyre kanë plane konkrete për këtë.

Top Channel