Kryebashkiaku i Lushnjës ikën nga PS

19/11/2010 08:15

Kryetari i bashkisë së Lushnjës, Albert Sanxhaku, si dhe mbështetësit e tij brenda administratës së bashkisë, do të rikthehen sërish tek forca politike nga e cila mori drejtimin e institucionit vendor.

Mësohet se Albert Sanxhaku, sërish do të rikthehet tek Levizja Socialiste për Integrim, ku aderoi për disa vite dhe kandidoi nën siglën e saj, për kreun e bashkisë.

Lajmin e rikthimit të Sanxhakut tek LSI-ja e kanë konfirmuar burime të besueshme nga bashkia e Lushnjës, eksponentë të së cilës kanë preferuar që ta bëjnë publike nëpërmjet një dalje mediatike në një nga televizionet lokale të Fierit.

Të besuarit e Sanxhakut që kanë dalë në televizion, kanë zgjedhur që ta hapin bisedën e tyre politike me një grup opinionesh nga qytetarët e Lushnjës, të cilët jepnin mendimin e tyre lidhur me lëvizjet politike sa në një kah në tjetrin, gjithashtu sa në një parti në tjetrën.

Burime të gazetës nga Lushnja, bëjnë të ditur se ceremonia e rikthimit të tij tek LSI-ja do të zhvillohet sot, gjatë së cilës do të marrë pjesë edhe vetë kreu i LSI-së, Ilir Meta.

Top Channel