FIFA: Shqipëria në ashensor nga miqësoret

19/11/2010 13:15

Faqja zyrtare e FIFA-s i ka kushtuar një temë të veçantë ecurisë pozitive të Shqipërisë në vitin 2010. Në faqen zyrtare të Federatës Botërore të Futbollit, theksohet se ngjitja rekord e kuqezinjve në renditjen e përmuajshme të FIFA-s, ka ardhur mbi të gjitha si rezultaPat i paraqitjeve mjaft të mira të përfaqësueses sonë në ndeshjet miqësore.

“Duke e analizuar në tërësi ecurinë në vitin 2010, Shqipëria është ngjitur me 39 pozicione në klasifikimin botëror, nga vendi i 97 në të 58-in: një meritë të kësaj ngjitje e kanë pjesërisht edhe paraqitjet e mira të Kombëtares në ndeshjet miqësore.

Skuadra e Kuzhe ka fituar me Irlandën e Veriut, Malin e Zi, Andorrën e Uzbekistanin, ndërsa miqësorja e së mërkurës me Maqedoninë përfundoi në barazim pa gola. Humbja me Bjellorusinë në Euro 2012 është disfata e vetme në 8 ndeshjet e fundit: një ecuri mbresëlënëse për një prej vendeve më të vogla të futbollit”.

Më tej në vlerësimin për Shqipërinë thuhej: “Kjo skuadër qëndron me meritë e treta në Grupin D, pas Francës e Bjellorusisë. Kuqezinjtë ruajnë shpresat për pjesëmarrjen në një aktivitet madhor, por duhet të ruajnë disiplinën, që së fundmi i ka bërë të vështirë për t’u mposhtur”.

Top Channel