
Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu ka deklaruar se institucioni i tij nuk u është nënshtruar presioneve të klasës politike.
Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Spahiu është shprehur se vakumi në institucionet e drejtësisë ka ardhur si pasojë e mungesës së ligjeve dhe të kompetencave të Konferencës Gjyqësore.
“Natyrisht që jo. Nuk ka dalë asnjë politikan që të ushtrojë presion tek unë. Megjithë diversitetin dhe antagonizmet që ka mbajtur komiteti i gjyqtarëve, kjo ka qenë një krizë që s’është krijuar nga KLD. Ajo ka ardhur si pasojë e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, që shfuqizonte vendimin e Konferencës Gjyqësore, që duhet të funksiononte me një ligj me 3/5”, ka deklaruar Spahiu.
Sipas tij, zgjidhja e vakumit të krijuar vjen përmes miratimit të një ligji të ri, që i jep Konferencës Gjyqësore më shumë kompetenca.
“Pikëpamjet e mija për mbetjen e vendeve bosh në institucionet e drejtësisë mbeten që për mirëfunksionimin e Konferencës Gjyqësore duhet një ligj organik. Konferenca Gjyqësore në një farë mënyre duhet të ketë edhe kompetenca të tjera”, ka nënvizuar Spahiu.
Numri dy i KLD-së ka theksuar se institucioni i tij nuk ka asnjë përgjegjësi për vakumin e krijuar në instancat më të larta gjyqësore të vendit. Ai ia ka atribuar atë klasës politike, që sipas tij krizën e saj ia ka transferuar edhe drejtësisë.
“Sa për KLD, kur kam mbrojtur tezën për një zgjedhje përmes Konferencës Gjyqësore, KLD kishte dhënë konsensusin për projektligjin dhe nga ana tjetër nuk mund të realizonim këtë proces. Duhej sinkronizuar ligji me zgjedhjet. Ai nuk është miratuar dhe nuk ka perspektivë të jetë në axhendën e Kuvendit për shkak të ngërcit të krijuar”, ka shtuar Spahiu.
Top Channel