
I ftuar në Top Story, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu e cilësoi Gjykatën e Lartë si problemin më të madh të sistemit gjyqësor.
Zoti Spahiu tha se edhe në raportin vjetor të Këshillit Europian përmendet ky fakt ndaj, sipas tij, duhet që sa më parë të gjendet një formulë tjetër për përzgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Nënkryetari i KLD-së shtoi se në shumicën e vendeve europiane Gjykata e Lartë është në juridiksionin e KLD-së ndërsa në disa vende të tjera, si Gjermania dhe SHBA, kjo gjykatë kontrollohet nga politika.
“Në sistemet më demokratike europiane Gjykata e Lartë kontrollohet nga KLD, ndërkohë që në Shqipëri është e emëruar politikisht. Edhe në raportin e KE-së përmendet ky fakt”, tha Spahiu.
Spahiu shtoi se kjo situatë do të vazhdojë për sa kohë të jetë kjo mënyrë dhe ky sistem i politizuar i përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gykatës së Lartë.
“Kjo situatë do të vazhdojë deri sa të kemi këtë mënyrë ndërtimi të Gjykatës së Lartë. Ka ardhur koha që duhet të kemi një gjykatë karriere, nuk po them që duhet të jetë me patjetër nën juridiksionin e KLD-së, por duhet gjetur një formulë tjetër nga politika”, u shpreh nënkryetari i KLD-së.
Ndërkohë në fjalën e tij deputeti demokrat, Viktor Gumi tha se përzgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë bazohet tërësisht tek proçedurat dhe tek meritat.
Top Channel