Kriza, Rama letër ambasadorëve

18/11/2010 19:30

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka kërkuar ndihmën e ambasadorëve të Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara dhe prezencës së OSBE-së në Tiranë për të mundësuar zgjidhjen e ngërcit politik në Shqipëri.

Për të lehtësuar ndërmejtësimin e ambasadorëve, këtë herë zoti Rama ofron një qendrim të ri për hetimin e zgjedhjeve.

Një qendrim që ai po e artikulon prej disa ditësh, heqjen dorë nga fletët e votimit. Pikërisht për këtë qendrim të ri, lideri i opozitës u ka shkruar një letër ambasadorëve më me ndikim në Tiranë, ku i informon ata se:

“Oferta e re e Partisë Socialiste bazohet fjalë për fjalë në rezolutën e Parlamentit Europian” dhe se, “kërkojnë për komisionin hetimor parlamentar një mandat të plotë hetimi për kutitë e materialeve zgjedhore”.

Në letrën drejtuar ambasadorëve, kreu i opozitës i informon ata se në kërkesën që i është dorëzuar prej tij kryeministrit, nuk përfshihen fletët e votimit.

Por, megjithëse kryeministri Berisha e cilëson këtë një ofertë të parealizueshme, për shkak se atje flitet për hetim të pakufizuar dhe se pret të shkruar qendrimin e ri të zotit Rama për fletët e votimit, kreu i opozites shpjegon në letrën e tij se:

“Për hir të kompromisit, që duhet t’i japë fund krizës politike, Partia Socialiste nuk i këkron fletët e votimit për këtë hetim dhe nuk e kushtëzon marrëdhënien e mëtejshme me Parlamentin me fatin e fletëve të votimit”.

Duke deklaruar heqjen dorë nga hetimi për fletët e votimit, në letrën e Edi Ramës për ambasadorët spikat paragrafi ku ai thekson se:

“Pavarësisht opinionit të pandryshuar të Partise Socialiste lidhur me të drejtën e padyshimtë të Parlamentit për të hetuar edhe fletët e votimit, ne kemi ndryshuar në funksion të zgjidhjes me kompromis të problemit të transparencës, përmbajtjen e kërkesës sonë”.

Në letrën për ambasadorët, kreu i opozitës shkruan gjithashtu se: “Partia Socialiste do në dispozicion të komisionit hetimor për zgjedhjet, ashtu sic shkruhet edhe në rezolutën e Parlamentit Europian, kutitë e materialeve zgjedhore. Jo fletët e votimit”.

Nëse arrihet kjo, Edi Rama siguron ambasadorët se: “Nuk ka dyshim, se me të filluar procesi i transparencës në shkallën e zbatimit të ligjit në zgjedhjet e kaluara, Partia Socialiste është gati të nisë dialogun për reformën e re zgjedhore”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA