
Nënkryetarja e grupit parlamentar socialist, Vasilika Hysi, mendon se ndërhyrja e politikës dhe mungesa e vullnetit politik janë faktorët që dëmtojnë sistemin gjyqësor shqiptar.
Duke folur në emisionin ‘Top Story’ në Top Channel, Hysi deklaroi se duhet vullnet politik për të patur sistem gjyqësor të drejtë dhe kjo është arsyeja që Partia Socialiste nuk ndërhyn në çështjet e gjyqësorit.
“PS nuk ka kërkuar asnjëherë që të mblidhet Konferenca e Gjyqtarëve sepse nuk është një çështje që na përket neve. PS gjithmonë ka qëndruar larg, nuk ka ndërhyrë kurrë”, u shpreh Hysi.
Hysi shprehet se mazhoranca bën presion ndaj sistemit gjyqësor: “Buxheti që parashikohet për sistemin gjyqësor është një formë presioni. Mazhoranca nuk ka strategji për sistemin gjyqësor, çdo nismë që vjen në kuvend është e pastudiuar, mos të flasim për cilësinë e tyre.”
Më tej, Hysi shtoi: “Sistemi gjyqësor vuan qeverisjen e vendit, është pasqyrë e kësaj qeverie. Mazhorancës i intereson drejtësia kaotike sepse nuk ka interes në një sistem gjyqësor profesional sepse nuk duan të zbardhen akuzat e shumta për korrupsion”.
Top Channel