
Ndonëse qeveria shqiptare ka deklaruar për rritje pagash në të gjithë sistemin arsimor të vendit, rezulton se në rrethin e Fierit një kontingjent i madh mësuesish nuk përfitojnë nga ky vendim.
Bëhet fjalë për një numër të madh mësuesish që kanë mbaruar Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, në sistemin part-time.
Kjo kategori, sipas zyrës ekonomike të Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Fier, nuk e përfiton rritjen e pagës së trumbetuar nga qeveria si një premtim i mbajtur tashmë.
Kjo ka sjellë reagimin e dhjetëra mësueseve, të cilët kanë pohuar se qeveria indirekt, duke mos aplikuar rritjen e pagave për ta, nuk njeh Universitetin publik të Vlorës.
Nga ana tjetër, drejtoresha e arsimit në Fier, Suzana Numani, ka thënë se gjithçka ka rrjedhur si pasojë e zbatimit të një urdhri të mbërritur prej Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave.
“Urdhri bën fjalë për mosnjohjen e kualifikimit për shumë mësues që kanë përfunduar në Vlorë, pasi atyre u duhet të kryejnë patjetër një master. Kjo ndodh vetëm me Universitetin e Vlorës, pasi ata që kanë përfunduar në Elbasan apo dhe Gjirokastër nuk e kanë një problem të tillë. Ne si drejtori përballë reagimit me të drejtë të mësueseve do ta përcjellim shqetësimin drejt MASH-it”, është shprehur drejtoresha Suzana Numani.
“Nuk ekziston një shkresë e tillë. Rritja e pagave është me vendim të Këshillit të Ministrave dhe kjo është e padiskutueshme. Një pretendim i tillë mund të ketë pas, vetëm arsye politike”, ka sqaruar zëvendësministrja e Arsimit Nora Malaj.
Sipas saj, një urdhër i tillë nga ministria nuk është dërguar në adresë të institucioneve të varësisë në rrethe.
“Del qartë nga mënyra sesi po trajtohet çështja e pagave tona se ministria nuk e njeh Universitetin e Vlorës dhe kualifikimin që kanë përfituar mësuesit nga ai”, ka thënë Vezirja, një mësuese, e cila ka një përvojë 20-vjeçare në punë e që sot po i llogaritet paga sikur sapo ka hyrë në arsim.
Ajo tregon se së bashku me dhjetëra arsimtare të tjera që dikur kanë mbaruar arsimin e mesëm pedagogjik e që 15 vitet e fundit vijuan arsimin e lartë, përjashtohen nga procesi i rritjes së pagave.
Burimet zyrtare të Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Fier dhe nga departamenti i financave në këtë drejtori pohojnë se me një problem të tillë po përballen mbi 70 mësues.
Pjesa më e madhe e këtij kontingjenti arsimtarësh kanë kërkuar shpjegim disa herë jo vetëm nga financa e drejtorisë së arsimit, por edhe nga vetë drejtoresha e këtij institucioni, Suzana Numani.
Nga studimi i dosjeve të mësueseve që nuk e përfitojnë rritjen e pagës, mësohet se një pjesë e madhe e tyre janë me arsim të mesëm pedagogjik, ndërkohë që kanë përfunduar edhe ciklin e lartë trevjeçar për arsimin parashkollor, si dhe ciklin e ulët. Nga mësuesit, por edhe nga dokumentet që ata kanë vendosur në dispozicion në drejtorinë e arsimit, konfirmohet se diploma e tyre është e nivelit të parë.
“Tre vitet që ne kemi kryer arsimin e lartë kanë përfshirë programin e katër viteve. Nëse me arsimin e lartë të Vlorës bëhet eksperiment nga qeveria dhe MASH-i, nuk mund të bëhet një gjë e tillë me dhjetëra mësues që kanë investuar për të kryer kualifikimin e nevojshëm të tyre”, ka thënë një mësuese e prekur prej këtij problemi.
E ndërsa nuk ka një afat për zgjidhjen e këtij problemi, mësuesit shkojnë edhe më tej me akuzat e tyre, duke thënë se mbiorganika ka sjellë uljen e pagave, me qëllim që të mbulohet pikërisht kjo mbiorganikë.
Top Channel