Parlamenti i ri, Rama refuzon mbledhjen e Komitetit

17/11/2010 15:30

Përpara pak minutash ka përfunduar mbledhja e radhës e Komitetit Shtetëror për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar.

Në këtë mbledhje u bë prezantimi i studiove që kanë shprehur interes për të marrë pjesë në konkursin ndërkombëtar prej nga do të dalë projekti fitues. Sipas kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, nga 30 ftesa që janë shpërndarë, 25 studio kanë shprehur interes për të marrë pjesë. Kryeministri Berisha tha se hartimi i një liste më të shkurtër për pjesmarrësit në konkurs, sic kanë kërkuar disa nga studiot, është e vështirë, për shkak të cilësisë që kanë të tëra studiot.

Por kryeministri premtoi një proces transparent, ku do të merren edhe mendimet e qytetarëve. Kryeministri u tregua i ashpër me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, i cili nuk ishte i pranishëm në këtë takim.

Zoti Berisha akuzoi zotin Rama dhe të tërë ata arkitektë apo intelektualë që janë shprehur pro ruajtjes së godinës së ish-piramidës, se duke u fshehur pas vlerave, në fakt duan të mbajnë gjallë frymën e ish-diktatorit. Kryeministri nuk e fshehur neverinë personale, sic u shpreh ai, për godinën e ish-Piramidës, që sipas tij u konceptua si mauzole për diktatorin. Por në vendimin për prishjen e saj, tha kryeministri, ai udhëhiqej vetëm nga kritere ekonomike.

Prishja e ish-piramidës dhe ngritja atje e kompleksit të ri parlamentar, duke liruar ambjente të ish-Komiteti qendror për një Pallat të drejtësisë, kursen në fund rreth 20-30 milionë euro, sipas shefit të qeverisë. Në një letër drejtuar kryetares së Kuvendit, kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama shpjegonte arsyet e mospjesmarrjes në këtë mbledhje, që sipas tij nuk kishte as rend dite dhe as përmbajtje.

Sipas zotit Rama, profili i studiove që kanë shprehur interes, nuk ka asnjë lidhje me Komitetin, pasi sipas zotit Rama, Komiteti nuk ka kompetencë profesionale për të shqyrtuar listën e studiove.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA