
Nëse pranohet se demokracia konsiston në institucionet e forta, atëherë mund të thuhet se Shqipëria është një rast i pasuksesshëm.
Ky përkufizim nuk vjen si pjesë e një deklarimi politik të njëanshëm, por si shprehje e një statistike të ndërtuar mbi gjurmimin në terren të mendimit të qytetarëve, që prekin vetë cilësinë e tyre, përtej retorikës dhe demagogjisë së reformave.
Të pyetur nga “Gallup Balkan Monitor”, në një sondazh që do të prezantohet sot në Bruksel, shqiptarët përgjigjen me shumë pesimizëm për institucionet e vendit, duke dhënë shifra që flasin më shumë se çdo interpretim. “81.9% të pakënaqur dhe 12.1% të kënaqur”, këto janë perceptimet e gjurmuara nga “Gallup”, duke sjellë në vëmendje një realitet, i cili bëhet lakmuesi më i saktë i politikës shqiptare.
Statistika e ndërtuar mbi sondimin e 1000 qytetarëve, plotësohet më tej me përgjigje domethënëse për çështje çelës si zgjedhjet, performanca e Kryeministrit, besimi te klasa politike, korrupsioni dhe standardi i jetesës.
Kështu duke iu referuar shifrave, ekipi politik në vend do të duhet të kuptojë se po vepron mbi një boshllëk të madh, teksa 40.2% e qytetarëve nuk e aprovojnë drejtimin e tij. Në këtë rast flitet jo për njërën palë, por për të gjithë klasën politike, pozitë dhe opozitë, një sinjal ky që flet për hendekun e thelluar mes saj dhe masës së gjerë të njerëzve.
Shqetësues bëhet ky realitet po të merret në analizë edhe qëndrimi i përgjithshëm mbi procesin elektoral në vend që është edhe instrumenti rigjenerues i institucioneve. Sondazhi jep të dhëna problematike po të merret në konsideratë se pyetja e shtruar lidhet me besimin te zgjedhjet dhe jo pjesëmarrjen në to. Konkretisht, 29.8% e të pyeturve deklarojnë se nuk besojnë fare të zgjedhjet, 31% pak, 27.5% mjaftueshëm dhe vetëm 8.3% përgjigjen se besojnë shumë në to.
Do të mjaftonte kjo statistikë për të marrë një përfytyrim bruto të realitetit politik që kanë ndërtuar partitë shqiptare, të cilat për mbushjen e dështimeve të veta thjesht përshkallëzojnë akuzat dhe terminologjinë.
Në vijim “Gallup Balkan Monitor” lejon që të përftohet një statistikë krahasuese lidhur me preferencat e shqiptarëve për palët respektive dhe aksionet e tyre dominuese politike. P.sh nëse në kontekstin e kësaj pakënaqësie të plotë, vlerësimi për punën e Kryeministrit që shkon në 42.7% pozitiv dhe 47.1% negativ, krijon thyerje “logjike”, qëndrimi mbi bojkotin e Partisë Socialiste jep një perceptim që ka vlerën e mesazheve direkte nga elektorati.
Sipas “Gallup Balkan Monitor”, 28.2% e të anketuarve e përkrahin atë, 33.6% mendojnë se opozita po e ekzagjeron dhe duhet të kthehet në punën normale parlamentare, 18.1% i gjykojnë kauzat e opozitës false dhe 12.7% janë të pavendosur.
Shifrat flasin vetë, por një konkluzion paraprak të çon në vlerësimin se nismat me sens bllokues të PS-së kanë krijuar në rastin më të mirë çorientimin e qytetarëve apo edhe refuzimin e tyre për të mirëpritur aksione me natyrë radikale. Kjo ka rëndësi të nënvizohet sidomos po të sillet në vëmendje besueshmëria minimale te zgjedhjet, pasi bashkimi i këtyre dy faktorëve logjikisht çon në një mospjesëmarrje masive të atij kontingjenti që në një moment më optimal do të vendoste balancën e rezultatit.
Duhet thënë se përveç qytetarëve në këtë rast penalizohet edhe opozita e majtë, e cila në ndryshim nga e djathta zyrtare, vuan mungesën e një elektorati militant dhe me reflekse të forta konformuese me linjën zyrtare. Një mundësi politike hapet nga raporti i qytetarëve me situatën ekonomike në vend dhe standardin e jetesës. 49.6% shprehen të kënaqur dhe 47.6% të pakënaqur – ky regjistër shifrash është në një pikëpamje tepër përgënjeshtrues ndaj propagandës opozitare, por gjithsesi mbetet motivues për protestat e paralajmëruara prej saj nëse elementi ekonomik do të mbahet në krye të listës së çështjeve që ajo shtron.
Janë rreth gjysma e shqiptarëve që sot nuk e pranojnë standardin e tyre të jetesës dhe kjo është një e dhënë e cila mjafton për të mbajtur të hapur opsione elektorale dhe politike me perspektivë të sigurt suksesi. Shpresa për këtë jep edhe distancimi në masë i shoqërisë ndaj dukurisë së korrupsionit, përkundrejt një gjykimi përgjithësues që e sheh atë si pjesë të kulturës shqiptare. Kështu rreth 74% e vlerësojnë atë si problem shumë serioz ose serioz, çka përbën një qëndrim që apelon për ndryshim.
Top Channel