Ferguson: Hernandez, mos u fal ndaj Rangers

17/11/2010 09:10

Trajneri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka këshilluar sulmuesin e tij, ‘Chicharito’ Hernandez, për të mos zhvilluar ritualin e tij të zakonshëm fetar para çdo ndeshjeje ndaj Glasgow Rangers.

Sipas mediave angleze, skocezi Ferguson, i ka thënë meksikanit Hernandez të mos ulet në gjunjë për tu falur siç bën para të gjitha ndeshjeve, më 24 nëntor, kur Manchester United të luajë kundër Glasgow Rangers në Ibrox Park (Skoci) në ndeshjen e vlefshme për fazën e grupeve në Ligën e Kampioneve.

Tifozët e Rangers, të cilët janë protestantë, kanë kërcënuar nëpër forume në internet Hernandezin dhe e kanë “këshilluar” që mos të bëjë asnjë ritual fetar.

Pikërisht për këtë arsye, Ferguson shpreson që lojtari i tij të bëjë një përjashtim për këtë ndeshje.

Edhe vetë drejtuesit e Glasgow Rangers kanë rekomanduar sulmuesin të mos kryejë rituale fetare.

Gjithsesi, prezenca e Hernandez si titullar nuk është e sigurtë sepse parashikohet që Wayne Rooney të jetë i gatshëm për të luajtur ndeshjen ndaj skocezëve.

Top Channel