Biseda e Alonsos me bokset në Abu Dhabi

17/11/2010 13:00

Pak nga pak po zbulohen detaje të tjera të asaj që ndodhi në cirkuitin e Abu Dhabi, të dielën e kaluar.

Gazeta italiane “Corriere della Sera” ka publikuar transkriptimin e bashkëbisedimit midis Fernando Alonsos dhe inxhinierit të tij të pistës, Andrea Stella.

Sipas gazetës, dialogu ka qenë ky:

Xhiro 9: Stella i tregon Alonsos se pas prekjes me murin, Webber po ngadalëson ritmin: “Ke fituar 3 të dhjetat ndaj Webber. Edhe Felipe (Massa) po afrohet.

Xhiro 12: Stella i jep “panoramën” e garës, ku gjithçka duket në rregull: Webber ka hyrë në bokse ndërsa Vettel po humbet ndaj Hamilton.
Alonso përgjigjet: “Nëse shikoni se Felipe mund ta parakalojë, pas një xhiroje thërriteni në bokse (Massën).
Përgjigja e bokseve: “Po e studiojmë mundësinë. Përqendrohu tek Button.”

Xhiro 14: Alonso pyet për ndalesën në bokse të Massa: “Si shkoi me Felipen?”
Stella përgjigjet: “Doli mbrapa Webber-it”

Xhiro 15: Boksi i Ferrarit jep urdhrin që do i kushtonte titullin kampion Alonsos: “Ok, tani futu në bokse!”
Piloti është dakord: “OK”
Nga bokset i thonë: “Do dalësh afër me Webber, përpara tij.”

Xhiro 17: Alonso pyet: “Si është situata?”
Stella, që po kupton gabimin që kanë bërë tek Ferrari, përgjigjet: “Duhet të parakalosh makinën Renault që ke përpara sepse nuk do të futet më në bokse. Pastaj duhet të parakalosh Rosberg.”

Xhiro 22: Tek Ferrari janë të dëshpëruar: “E di që po bën të pamundurën, por është e domosdoshme të parakalosh Petrov!”

Situata nuk do të ndryshonte më. Alonso dhe Ferrari kishin humbur titullin e kampionit për pilotë.

Top Channel