25 studio për parlamentin e ri

17/11/2010 19:50

Nga 30 ftesa të shpërndara, 25 studio apo arkitektë të huaj kanë shprehur interes për të marrë pjesë në konkursin ndërkombëtar, prej nga do të dalë projekti fitues për kompleksin e ri parlamentar. (UPDATE)

Kryeministri Berisha premtoi një proces transparent, ku do të merren edhe mendimet e qytetarëve. Kryeministri nuk e fshehu neverinë personale, sic u shpreh ai, për godinën e ish-Piramidës, që sipas tij u konceptua si mauzole për diktatorin.

Por duke folur për arsyet e prishjes së Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Pjetër Arbnori”, ai tha se udhëhiqej vetëm nga kritere ekonomike.

Shfrytëzimi i hapësirës që do të mbesë bosh dhe lirimi i ambjenteve të ish-komitetit qendror për një pallat drejtësie, dalin më me leverdi sesa tërë variantet e tjera të mundshme.

“Janë 30.000 metra katrorë në zemër të Tiranës, 40 milionë bën parlamenti, po kaq Gjykata Kushtetuese, kursehen 20-30 milionë euro”, ka propozuar Berisha.

Ndërkohë, në një letër drejtuar kryetares së Kuvendit, kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama shpjegoi arsyet e mospjesmarrjes në këtë mbledhje, që sipas tij nuk kishte as rend dite dhe as përmbajtje.

Sipas zotit Rama, profili i studiove që kanë shprehur interes, nuk ka asnjë lidhje me komitetin, pasi sipas zotit Rama, komiteti nuk ka kurrëfarë kompetence profesionale për të shqyrtuar listën e studiove.

Sipas kryebashkiakut të Tiranës, Parlamenti dhe qeveria po bëhen qesharakë duke mos qenë në gjendje të organizojnë një procedurë rutinë si konkursi ndërkombëtar.

Përvec kësaj, orari i mbledhjes kishte ndryshuar dy herë dhe orari final ishte njoftuar vetëm 2 orë përpara.

Rama akuzoi kreun e Kuvendit dhe kryeministrin se me arrogancën e tyre po i bëjnë dëm institucioneve, duke e kthyer Parlamentin në një institucion qesharak.

Në letër zoti Rama shpreh edhe njëherë vullnetin, kësaj here si kryetar i opozitës, për të bërë gjithcka për ta larguar zonjën Topalli nga drejtimi i Kuvendit.

Top Channel