Zbulohen maskotat e “Euro 2012”

16/11/2010 21:25

Federatat e futbollit të Ukrainës dhe Polonisë prezantuan sot në Varshavë maskotat e Kampionatit Europian të Futbollit të vitit 2012, që këto dy vende do e organizojnë së bashku.

Maskotat do të jenë dy futbollistë binjakë, njëri me uniformën e Polonisë dhe tjetri me atë të Ukrainës.

Kjo formulë të kujton atë që u përdor në Europianin e kaluar që u zhvillua në Austri dhe Zvicër, në vitin 2008, kur maskotat ishin Trix dhe Flix të veshur me uniformat e kombëtareve që organizuan atë vit turneun.

Emrat e “binjakëve” polak dhe ukrainas do të vendosen nëpërmjet një votimi në internet, ku tifozët e vendeve organizatore do të vendosin se si do të quhen maskotat.

Europiani 2012 do të hapet me ndeshjen e parë në Varshavë, më 8 qershor 2012 dhe ndeshja e fundit do të luhet më 1 korrik në Kiev.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel