Milan kërkon sulmues

16/11/2010 15:45

Në janar Milan do të ketë një sulmues të ri.

Pas dëmtimit të Inzaghi, për të cilin ka përfunduar sezoni, dhe pas dëmtimit muskulor të radhës për brazilianin Pato, klubi kuqezi ka vendosur të hyjë në merkaton e janarit për të përforcuar sulmin.

Balotelli, Matri dhe Bianchi janë alternativat për sulmin, ndërsa zërat për një rikthim me fanellën kuqezi të Borriello janë përgënjeshtruar nga vetë Galliani.

Matri, i cili luan me Cagliari dhe është rritur tek të rinjtë e Milan, është i preferuari i trajnerit Allegri. Italiani është një qendërsulmues i fuqishëm me aftësinë për të luajtur edhe në role të tjera në repartin e avancuar.

Nuk duhet përjashtuar edhe rikthimi në Itali i Mario Balotelli, edhe pse është e vështirë të ndodhë. Por, Super Mario ka takuar administratorin e deleguar të Milan, Adriano Galliani, në një restorant që frekuentohet nga tifozë kuqezinj menjëherë pas derbit.

Ky fakt ka bërë që tifozët e Milan të shpresojnë gjithmonë e më shumë që përforcimi i janarit të jetë sulmuesi i talentuar i Manchester City.

Top Channel