Dukati: Janë pronat tona

16/11/2010 20:50

Fshati i Dukatit nuk janë vetëm disa shtëpi dhe fusha përpara tyre që shtrihet deri në plazhin e Orikumit, pranë bazës ushtarake të Pashalimanit. Banorët thonë se pronat e tyre të hershme, që prej shumë dekadash janë shtrirë në kufij më të gjerë.

“Zonat e fshatit Dukat janë territor që shtrihen nga Kepi i Gjuhëzës deri në fshatin e Llogarasë”, tregon Edviol Kulluri, një i ri i zonës.

Ai, së bashku me disa djem të tjerë të rinj të zgjedhur unanim nga Kuvendi i Madh i Dukatit, për të përfaqësuar kërkesat e tyre thotë se kanë mjaft fakte që vërtetojnë pronësinë e dukatasve.

“Fakti i parë janë emërtimet e vendeve që mbajnë emrat e fshatarëve të Dukatit. Së dyti kemi edhe varret e të parëve tanë. Gjithashtu kemi edhe dokumenta pronësore me shumicë”, thotë Kulluri.

Javën e kaluar banorët e Dukatit u përlasën fort me policinë pas një proteste të paralajmëruar. Ata kërkuan me ngulm njohjen e pronave. Por prefekti i Vlorës, i cili ka pak kohë në këtë detyrë, thotë se kauza e dukatasve mund të fitohet ligjërisht pa nevojën e formave të tilla radikale.

“Nëse u drejtohen organeve shtetërore, kjo zgjidhje eksizton me gjithë ndryshimet në ligj që nuk i heqin të drejtën e pronës pronarit”, shprehet Eduart Veçani, prefeket i Vlorës.

Në fakt dukatasit e kishin provuar me kohë një rrugë të tillë, por janë ndeshur me heshtjen cinike, pse jo dhe të qëllimtë, të pushtetit.

“Ne e kemi ezauruar rrugën ligjore në të gjitha format e mundshme. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje dhe na është injoruar i gjithë dokumentacioni”, shprehet Kulluri.

Këtë fakt e konfirmon edhe kryetari i bashkisë së Orikumit, që ka nën administratim dhe Dukatin, paçka se banorët e këtij fshati thonë se Orikumi nuk ka ekzistuar përpara Dukatit.

“Pjesa më e madhe e banorëve kanë hartur dosjet e pronësisë. Disa prej tyre kanë dosje te plota dhe prona u duhej rikthyer. Ka edhe një kategori tjetër që nuk arrijnë dot të tregojnë kufijtë dhe pretendojnë. Ka edhe një kategori tjetër që i mungon dokumentat arshivorë”, shpjegon kryebashkiaku Kanan Braho.

Në fakt benzina që i vuri zjarrin protestës së Dukatit ishte vendimi i qeverisë për ndërtimin në gadishullin e Karaburunit nga një shoqëri italiane të një parku elioenergjitikë, prej të cilit fitohet energji elektrike nga turbinat që vihen në lëvizje nga era. Dukatasit thonë se nuk janë kundër ndërtimit të kësaj vepre, por vendimin për pronat e tyre duhet ta marrin ata dhe jo vetëm qeveria.

“Të na njohë pronën të na japë çertifikatat e pronësisë dhe ajo firmë italiane të vijë të investojë, por në radhë të parë të merret vesh me pronarët e tokës”, shprehet Kulluri.

“Ne gjykojmë që në fillim të kthehet prona dhe pastaj gjithçka të zgjidhet sipas mënyrës së duhur”, thekson Braho.

Ndërsa prefekti i Vlorës, më gjakftohtë në këtë histori thotë se ai nuk shikon konflikt.

“Nuk shoh asnjë konflikt pasi ligji i konfliktit dhe kompensimit të pronave ua njeh pronën pronarëve”, thotë ai.

Por sipas ligjit për mbrojtjen e investimeve të huaja, shteti futet si palë me investitorët kundër pronarit që pretendon pronën. Në rastin e Dukatit, shteti rreshtohet kundër banorëve, ndaj konfliki kthehet sërish në origjinë, mes Dukatit dhe qeverisë, e cila ende nuk i ka kthyer përgjigje për pronat. Opozita e ka kundërshtuar këtë ligj, pikërisht pse prodhon konflikt dhe nuk e shuan atë.

E parë në këtë këndvështrim, ngjarja në Dukat, përveç skenës së pakënaqësisë, fsheh edhe dredhin e shtetit. Ndaj duket protesta e Dukatit nuk ka më as zgjidhje ligjore.

“Jemi shumë të bindur dhe të vendosur që të shkojmë deri në fund. Ne do të qendrojmë dhe mbrojmë tokën tonë me çdo kusht”, shprehet Kulluri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA