Bulku: Fitojmë, pavarësisht mungesave

16/11/2010 13:05

Mesfushori Ervin Bulku është shprehur mjaft optimist përpara miqësores që Shqipëria do të luajë me Maqedoninë, pavarësisht se skuadra është goditur nga një valë e madhe dëmtimesh.

29-vjeçari që militon në elitën e futbollit kroat me Hajdukun e Splitit ka deklaruar se kuqezinjtë i kanë të gjitha mundësitë për ta fituar këtë ndeshje.

“Besoj se jemi të aftë që ta fitojmë këtë miqësore përballë Maqedonisë, pavarësisht se kemi disa mungesa të rëndësishme. Hapësirat e krijuara mund të shfrytëzohen në mënyrën më të mirë nga futbollistët që nuk janë aktivizuar shumë, apo të rinjtë që janë afruar, në mënyrë që të tregojnë se mund t’i shërbejnë skuadrës.

Mendoj se disa prej të rinjve që janë grumbulluar në skuadër kanë nivelin e duhur dhe e meritojnë t’u jepen shanse me fanellën kuqezi”, deklaroi Bulku.

“Luajmë përballë një kundërshtari që imponon respekt për atë që ka treguar së fundmi dhe e kemi vlerësuar sfidën maksimalisht. Dëshirojmë ta mbyllim në mënyrë të mirë vitin 2010, por edhe të bëjmë një paraqitje sa më të mirë, pasi kjo ndeshje shërben edhe si një test për të parë gjendjen e ekipit dhe për të bërë riparimet e nevojshme në kuadër të kualifikueseve të Euro 2012”.

Sipas mesfushorit me tipare mbrojtëse, fakti që Shqipëria do të luajë për herë të parë në Korçë, mund të shërbejë si një motivim ekstra për të mos i zhgënjyer tifozët, të cilët pritet të jenë të shumtë në numër. Bulku shtoi: “Fakti që do të luajmë në një stadium të rikonstruktuar dhe në një fushë ku përfaqësuesja nuk ka luajtur më parë, na emocionon disi. Jemi të vetëdijshëm që publiku do të jetë mjaft i zjarrtë dhe do të na mbështesë në mënyrë të jashtëzakonshme: kjo do të jetë një shtysë më tepër që të mos i zhgënjejmë”.

Top Channel