Spanja kryqëzon Ferrarin

15/11/2010 15:25

“Abu Dhabi prish ëndrrën e Alonsos”; “Ferrari ngatërron pilot, shpall Vettel-in kampion bote”; “Vettel është kampioni”. Janë këto titujt e parë të gazetave spanjolle të cilat kritikojnë strategjinë e Ferrarit për humbjen e Alonsos në Abu Dhabi.

Sportivja madrilene “Marca” shkruan se ndodhi ajo që kishte më pak shanse të ndodhte: “Ferrari gaboi strategjinë dhe i dhuroi Vettelit titullin kampion bote”.

Sipas kësaj gazette, “gabimin e Ferrarit nuk duhet ta paguajë piloti spanjoll, por drejtuesit e kësaj skuderie”.

Në faqen e saj ajo ka publikuar dhe deklaratat e ministrit italian Roberto Calderoli, i cili i ka kërkuar kryesministrit Berluskoni shkarkimin e menjëherëshëm të Montezemolos për këtë fjasko të Ferrarit në garën e fundit të sezonit.

E përditshmja tjetër, “El Mundo Deportivo” e ka cilësuar ankth Çmimin e Madh të Abu Dhabit për Alonson.

“Pas 69 gara, – shkruan gazeta katalanase, – Vettel shpallet Kaiser i ri i F1. Ferrari zbret nga froni Alonson, i cili e kishte një dorë te trofeu”.

I gjithë stafi i Ferrarit pranon gabimin e bërë në pistën e Yas Marina, por i vetmi që nuk tregohet diplomatik në deklarata është braziliani Felipe Massa.

“Kemi ndaluar në momentin e gabuar, duhet të bënim pit stopin më vonë”, ka pohuar Massa.

“Strategjia e drejtuesve tanë ishte totalisht e gabuar”, ka përfunduar braziliani.

Top Channel