Moratti: Benitez mund të ndryshojë situatën

15/11/2010 14:10

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka besim se trajneri spanjoll i zikaltërve, Rafael Benitez, mund të ndryshojë situatën jo të mirë në të cilën ndodhen kampionët në fuqi.

“Benitez është në gjendje të ndryshojë situatën. Trajnerin e kemi zgjedhur pikërisht se ka eksperiencë, është i qetë dhe ka aftësinë për t’i bërë gjërat si duhet”, u shpreh Moratti.

“Për Benitez nuk ishte e lehtë të merrte një ekip që i fitoi të gjitha dhe të fillonte nga e para, por kjo është detyra e tij tani”, vazhdoi presidenti zikaltër.

Duke folur sërish për derbin e djeshëm të humbur nga ekipi i tij ndaj Milanit, Moratti theksoi: “Thashë që derbi nuk më pëlqeu jo sepse e humbëm, por sepse nuk ishte një ndeshje e bukur. Asnjë nga skuadrat nuk dha maksimumin. Inter kishte mundësinë për të bërë diçka kur ishte në avantazh numerik, por nuk bëri asgjë të veçantë. Derbi duhej luajtur me një mentalitet tjetër nga ana jonë.”

Përsa i përket dëmtimeve të shumta që ka Inter dhe nevojës për blerje në merkaton e dimrit, Moratti nënvizoi: “Kemi një problem me dëmtimet, por mendoj se trajneri dhe gjithë të tjerët duhet të punojnë shumë për të kaluar këtë moment të vështirë sepse skuadra është e mirë. Nuk duhet të presim janarin për të reaguar. Është e njëjta skuadër që para tre muajsh arriti maksimumin.

“Jam në dispozicion të dëgjoj se çfarë mund të bëhet në janar përsa i përket merkatos, por nuk e di nëse ia vlen të hyjmë në merkato”, përfundoi Moratti.

Top Channel