Ferrari, fajtori është Chris Dyer

15/11/2010 14:30

Chris Dyer, 42-vjeçari Australian, ‘team manager’ i skuderisë Ferrari, është fajtori që Fernando Alonso humbi titullin kampion në garën e fundit, në Abu Dhabi.

Dyer është përgjegjës për strategjitë e garës së ‘Kokëkuqes’. Është ai që në bazë të eksperiencës dhe të dhënave komunikon se kur dhe si do të bëhen ndalesat në bokse.

Të njëjtën gjë bëri edhe në garën e fundit, duke u bazuar në një degradim shqetësues në dukje të gomave të buta. Për këtë arsye Webber kishte hyrë në bokse dhe dy xhiro më vonë thërritet Massa.

Në ato momente Alonso ishte i katërti, me titullin e siguruar duke qenë se Webber, i 16-ti për momentin, duhej të parakalonte Petrov (Renault) dhe Rosberg (Mercedes) të cilët kishin ndërruar gomat kur Safety Car ishte në pistë dhe nuk do hynin më në bokse. Kjo gjë e bënte praktikisht të pamundur avancimin e Webber.

Pikërisht këtë fakt Chris Dyer nuk e mori në konsideratë, duke thirrur në bokse Alonson në xhiron e 16-të. Vendim që i dorëzoi kampionatin botëror Vettel-it.

Top Channel