Capdevila mund të mbyllë karrierën tek Milan

15/11/2010 13:30

Karriera e Joan Capdevila mund të mbyllet në një nga klubet e mëdha të Europës, siç është Milan.

Mediat gjermane bëjnë të ditur se mbrojtësi spanjoll i pëlqen shumë klubit kuqezi dhe mosha e tij e madhe (32 vjeç) nuk do të ishte pengesë për transferimin e tij në Milanello.

Capdevila është një titullar i padiskutueshëm në krahun e majtë të mbrojtjes, si në klubin e tij Villarreal, ashtu edhe në përfaqësuesen spanjolle, me të cilën ka arritur dy sukseset e tij më të mëdha në karrierën si futbollist: Kampionatin Europian në vitin 2008 dhe Kupën e Botës në 2010.

Milan e kërkon futbollistin duke filluar që nga sezoni i ardhshëm kur kontrata e Capdevilas me Villarrealin të përfundojë më 30 qershor të 2011 dhe nëse kjo kontratë nuk zgjatet, spanjolli do të ishte i lirë.

Vetëm në këtë rast Milan do i ofronte një kontratë mbrojtësit të majtë. Klubi kuqezi nuk është i gatshëm të paguajë për blerjen e lojtarit spanjollët e Villarrealit.

Top Channel