Superliga, Flamurtari merr kreun

14/11/2010 20:20

Dy ndeshjet e rezervuara për t’u luajtur të dielën në kategorinë superiore, kanë sjellë dy fitore befasuese në transfertë përkatësisht në Tiranë dhe në Elbasan, ndërsa java e 11 ul siparin me sfidën Kastrioti-Teuta, të hënën.

Flamurtari ka marrë kryesimin e kampionatit pas një fitoreje minimale 2-1 në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” ndaj Elbasanit vendas.

Verdheblutë ishin ata që zhbllokuan ndeshjen që në minutën e 14-të, me anë të Dalipit, por skuadra vlonjate reagoi shpejt.  Pas gjysmëorës së parë të lojës shënuesi më i mirë i kategorisë superiore, Daniel Xhafaj barazoi rezultatin por pjesa e parë nuk u mbyll me kaq. Një ish-futbollist i Elbasanit, mesfushori Ahmataj i dha kryesimin Flamurtarit duke mbyllur pjesën e parë 2-1 për miqtë.

Në fraksionin e dytë Elbasani tentoi të barazojë, por nuk ishte konkret para portës.

Fitore befasuese në kryeqytet, ku Vllaznia fitoi 2-0 ndaj Tiranës në stadiumin “Qemal Stafa”. Dy gola, realizuar në pjesën e parë, u kanë mjaftuar shkodranëve për të marrë 100% të pikëve në transfertën ndaj bardhebluve.

Talenti i kuqebluve, Vajushi, në minutën e 18-të, dhe kapiteni Vioresin Sinani që më parë ka luajtur dhe me Tiranën në minutën e 31-të, kanë vulosur suksesin e Vllaznisë.

Top Channel