Dy partitë e mëdha, PDK-në e LDK-në sërish i bashkon diçka. Të dyja këto subjekte politike e mbajnë të fshehur listën me kandidatë për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Publikisht, kryetari i LDK-së bëri të ditur 6 emrat e parë në listë gjatë emisionit “Top Shoë” në Top Channel.

Ndërkohë që burime brenda partisë kanë bërë publike në kushte anonimiteti vetëm dhjetëshen e parë, duke thënë se të tjerët janë ata që kanë qenë në listën e 2007-ës.

Disa orë pas dorëzimit në KQZ të listës, një zyrtar i LDK-së madje tha se atë do të duhej ta publikonte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ndërsa duke shfrytëzuar edhe dy ditët shtesë të kohës për plotësim, Partia Demokratike e Kosovës, duket se po i shfrytëzon momentet e fundit për ta pasuruar listën me emra të vjetër të skenës politike, por të rinj në cilësinë e anëtarëve të PDK-së.

Janë ish-kryeministri Bajram Kosumi dhe ish ministri i Tregtisë, Bujar Dugolli të cilët pritet të zënë vend në listën e PDK-së.

Këta të dy që deri vonë ishin pjesë e AAK-së, së fundi krijuan iniciativën qytetare për demokraci.

Ndërkaq të premten u shkrinë në PDK.

“Me PDK-në për 30 vjet kemi punuar pa ndërprerje. Kemi qenë në pozitë dhe opozitë, por kemi mbetur miq edhe kur kemi kritikuar njeri-tjetrin. Ato që kanë interes për Kosovën të mos ngatërrohen me interesat personale”, është shprehur Bajram Kosumi, Iniciativa Qytetare për Demokraci.

Edhe zyra për regjistrimin e partive politike ka ofruar dy ditë afat shtesë për subjektet politike të cilat dëshirojnë t’i plotësojnë apo ndryshojnë listat e tyre me kandidatë.

Të enjten ndërkaq ishte afati i fundit për aplikim për çertifikim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se kanë aplikuar gjithsej 29 subjekte politike, tetë prej tyre janë serbe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA