
Të gjithë ata që akuzojnë kundërshtarët politikë me gjuhë të papranueshme, e pa fakte, duhet të ndëshkohen nga populli përmes votës më 12 dhjetor.
Kështu deklaroi të premten presidenti në detyrë Jakup Krasniqi, pas një takimi me subjektet politike të cilat do të garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme paralamentare të këtij viti.
“Ne e kuptojmë që ka ashpërsi të gjuhës dhe ashpërsia e gjuhës duhet të jetë mbi bazën e fakteve. Gjithçka që e kalon bazën e fakteve është gjuhë e papranueshme. Mendoj që është një gjuhë që qytetarët e Kosovës do të duhej ta ndëshkojnë më votën e tyre më 12 dhjetor 2010”, tha Krasniqi.
Në takimin me subjektet politike u diskutua teksti i “Kodit të Mirësjelljes” me rastin e zgjedhjeve. Por, për shkak të disa mospërputhjeve në tekst, e që sipas Krasniqit më shumë janë gjuhësore, sesa përmbajtësore, nënshkrimi i tij do të bëhet në fillim të javës që vjen.
“Kodi i Mirësjelljes” nuk parasheh ndëshkime për ata që nuk veprojnë në bazë të tij, për një proçes të rregullt zgjedhor. Por, ndëshkimi i shkelësve të normave ligjore zgjedhore, është i paraparë përmes ligjit për zgjedhje në Kosovë.
Top Channel