Shpallja e dënimit të EULEX-it ndaj Nexhat Dacit me një vit e gjysmë burgim me kusht dhe që për dy vitet e ardhshme të mos ushtrojë post publik nuk do e pengojë atë të marrë pjesë në zgjedhjet e dhjetorit.
Kjo për shkak se ankesat e palëve për vendimet nuk kanë kaluar në Gjykatën Supreme dhe kështu që dënimet nuk janë të plotëfuqishme dhe në këtë rast Dacit nuk i ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje.
Me ligjin për zgjedhje i pamundësohet pjesëmarrja në zgjedhje vetëm atyre personave që janë shpallur fajtorë për vepra penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tre vitet e fundit.
“Vendimi nuk e pengon kandidimin për Nexhat Dacin. Ndërsa për Albin Kurtin do të vendosë zyra”, ka deklaruar Valdete Daka, kryetare e KZQ-së.
Sa për liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj dhe atë të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarja e KQZ-së nuk sqaroi nëse kanë të drejtë të konkurrojnë në zgjedhje edhe ata persona politikë ndaj të cilëve janë ngritur akuza.
“Zyra ligjore, pas dorëzimit të listave, do ta sqarojë këtë ceshtje”, ka pohuar Daka.
Nga Vetevendosje dhe AAK konfirmohet vendosmëria e liderëve për të garuar, fakt që e tregon dhe vënia e tyre në krye të listave përkatese.
“Ramush Haradinaj do të kandidojë”, ka deklaruar Ardian Gjini, sekretar i përgjithshëm i AAK-së.
Por ndërkohë, neni 29, pika N e ligjit për zgjedhje thotë: i ndalohet kandidimi cdo personi që është nën akuzë nga gjykata dhe i cili ka dështuar të veprojë në përputhje me urdhërin për t’u paraqitur para gjykatës.
Dhe mbi këtë bazë pritet shqyrtimi i zyrës ligjore të KQZ-së. Në orën 24:00 të ditës së enjte është afati i fundit i dorëzimit të listave të partive.
Megjithatë, Daka ritheksoi se pas marrjes së listave pas shtatë ditësh KQZ-ja do të dalë me vendimin përfundimtar nëse Haradinaj, Daci dhe Kurti do të mund të vazhdojnë garën në zgjedhje.
Ndryshe nga partitë e mëdha, shumica e partive të vogla tashmë kanë kryer dorëzimin e listave në KQZ.
Top Channel