Nata e fundit e katër fëmijëve të Sukthit

11/11/2010 18:40

Në orët e mbrëmjes së djeshme, katër fëmijë të një gruaje të varfër në Sukth të Durrësit, u gjendën të vdekur në shtëpinë e tyre.

Askush nuk ishte atje për t’u kujdesur për ta. Asnjë nuk ishte interesuar të dinte se si jetonin katër fëmijë dhe një grua e divorcuar, si ushqeheshin, si visheshin, si i mbroheshin shiut dhe të ftohtit të dimrit. Në shtëpinë e tyre të mjerë, nuk mungonte televizori ku ndoshta ata shikonin sesi jetonin bashkëmoshatarët e tyre diku ku nuk quhet Shqipëri.

Fëmijët shqiptarë e shihnin në televizor se sa bukur është të jesh fëmijë duke harruar se edhe ata vetë ishin të tillë dhe se për të gëzuar të njëjtën jetë si ajo e bashkëmoshatarëve të tyre në televizor, duhet vetëm pak. Thjesht që të rriturit tanë në televizor të përshkohen ndonjëherë nga ndonjë ndjenjë faji.

Por edhe kënaqësia e televizorit për njerëz të klasës të së varfërve, është me racion. Në Sukth, ikën dritat. Fëmijët nuk duhet të shohin më shumë se ç’duhet dhe për këtë dikush atje lart kujdeset.

Roberti 13 vjeç, Vilsoni 11 vjeç, Kasandra 9 vjeç dhe Nertila vetëm 6 vjeç ndezën qiriun e përnatshëm të ngushëllimit të tyre ndërsa nëna ishte larg duke punuar në restorantet e lumturisë së të tjerëve. Të vetëm, në një barrakë si ajo e mjerimit të mijëra e mijëra shqiptarëve që u thonë në televizor se duhet të jenë të lumtur.

Ata ranë të flinin. Të gjithë në të njëjtin krevat të improvizuar. Katër trupa të vegjël dhe qiriu, në errësirën e madhe të botës ku binte shi, ishte drita e vetme e shpresës.

Roberti, Vilsoni, Kasandra dhe Nertila e vogël nuk do të zgjoheshin më. Nëna do t’i gjente ata të asfiksuar, të shtrirë të qetë brenda shtëpisë ku ata duhej ta prisnin. Gjumi i tyre i përjetshëm, është një akuzë. Për të gjithë ne.

Top Channel