Goli, sëmundja e Besës

11/11/2010 13:25

Besa e Kavajës është “kampioni” i zhgënjimeve të këtij sezoni të Kategorisë Superiore. E nisur në start si një nga rivalet më të forta të pretendetëve për titull dhe me petkun e nënkampionit në fuqi të vendit, rezultatet e 10 javëve të para e klasifikojnë ekipin e presidentit Nexhat Bizhdili në gjysmën e dytë të tabelës, në vendin e 9-të, vetëm një pikë nga skuadra e fundit në renditje, Elbasani (6 pikë).

Një situatë e tillë duket se nuk po përtypet jo vetëm nga tifozët kavajas (të cilët kishin besuar në vazhdimësinë e lojës në nivelet e sezonit të fundit), por edhe nga vetë presidenti Bizhdili. Madje, burime pranë tij konfirmojnë se Xhatit i ka humbur durimi dhe pa u mbyllur gjysma e sezonit ka përgatitur reprezaljen në klub, të cilën ka ndërmend ta ekzekutojë gjatë pauzës dimërore.

Sikurse është mësuar ditët e fundit, numri një i klubit kavajas “është shumë i zhgënjyer për ecurinë e skuadrës në këtë fillim sezoni. Ai është shprehur se ndihen të domosdoshëm për ndryshime të menjëhershme, me synimin që ekipi në gjysmën e dytë të kampionatit të luftojë për realizimin e objektivave të përcaktuara. Përveçse në merkaton e janarit do të ketë përforcime, në prapaskenë po përgatitet dhe një operacion ‘Fshesë’, ku në thelb të të cilit do të jetë largimi i disa lojtarëve, të ardhur me shumë bujë në këtë klub gjatë merkatos së verës”. Po ashtu tashmë përfliten edhe emra të përveçëm, të cilët janë të përshirë në listën e të padëshirueshmëve. Bëhet fjalë për tre sulmuesit, Dos Santos, Ngjela dhe Haxhibuliç. Ata jo vetëm që kanë zhgënjyer në fushën e lojës, por për çudinë e të gjithëve, në 10 javët e para nuk e kanë gjetur asnjëherë të vetme rrugën e rrjetës në Kategorinë Superiore. Goli duket një “sëmundje e rëndë” për kavajasit në këtë edicion. Shifrat e 10 javëve të para janë të frikshme.

Bilanci tregon vetëm një fitore, 5 barazime dhe 4 humbje. Fitorja e vetme i përket javës së 8-të ndaj Tiranës (2-1 në Kavajë). Në bazë të statistikave në tabelën e klasifikimit, kavajasit kanë sulmin më të keq, me vetëm 7 gola të shënuar dhe 12 të pësuar, nga të cilët vetëm 2 gola i kanë realizuar në fushën e saj dhe 5 në fushën kundërshtare.

Nga këto shtatë golat e shënuar, vetëm dy prej tyre kanë rezultuar të vlefshëm, pasi u kanë dhënë atyre fitoren e vetme në këtë edicion (2-1 ndaj bardhebluve, Mihani 10’ e Çikalleshi 36’), ndërsa një tjetër i Mihanit ka dhuruar barazimin 1-1 në Elbasan në javën e 7-ë. Nga 10 javë në total, vetëm në 5 prej tyre kavajasit kanë mundur ta gjejnë rrugën e rrjetës dhe golashënuesit e skuadrës janë dy: Çikalleshi (4) dhe Mihani (3). Besa nuk e ka çuar dot topin në rrjetë në javën e parë ndaj Skënderbeut, sfidë e cila më pas u humb në tavolinë 0-2 për shkak të dhunës në fushë. Po ashtu pa gol Besa i ka mbyllur edhe ndeshjet e javës 3 (0-0 me Flamurtarin), 4 (0-0 me Teutën), 6 (0-1 me Vllazninë) dhe 10 (0-0 me Kastriotin).

Top Channel