Alonso: Sezon i bukur edhe nëse nuk fitoj

11/11/2010 17:45

Piloti i Ferrarit, Fernando Alonso, nuk duket shumë i shqetësuar përpara garës së fundit të sezonit të Formula 1, edhe pse në këtë garë do të luftojë për titullin kampion.

“Objektivi për këtë garë është që të përfundoj i pari ose i dyti në mënyrë që të shpallem kampion. Nga e premtja deri të dielën do të punojmë për të arritur këtë”, u shpreh Alonso.

Për Alonson, të shtunën, gjatë provave zyrtare “renditja në vijën e parë të nisjes është e mundur dhe nëse arrihet pole position, aq më mirë.”

Në rast se të dielën nuk arrin të fitojë titullin kampion, Alonso u shpreh: “Sigurisht që mërzitesh nëse e humb titullin në garën e fundit, por unë nuk kam për çfarë t’i ankohem vitit 2010. Në dy vitet e fundit kam luftuar në vendet e ulta të klasifikimit. Edhe Ferrari ka pasur një sezon të keq në 2009-ën.”

“Në këtë vit të parë të marrëdhënies sonë jemi duke luftuar kundër një makine dominuese si Red Bull, kështu që nuk ka rëndësi se çfarë ndodh të dielën. Personalisht, do kem kujtime të bukura nga ky vit”, deklaroi piloti spanjoll.

Top Channel