Seria A, Milan fiton dhe merr kreun

10/11/2010 23:15

Milani ka mposhtur Palermon me rezultatin 3-1 dhe ka marrë kryesimin e Serisë A duke përfituar edhe nga humbja e Lacios ndaj Çezenës 1-0.

Në ndeshjen e luajtur në San Siro kuqezinjtë kaluan të parët në avantazh në minutën e 19 me anë të Patos. Pjesa e parë mbyllet me këtë rezultat, megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave për të shënuar golin e avantazhit.

Në pjesën e dytë siçilianët barazojnë në minutën e 63 me anë të të riut Baçinoviç. Por rreth 15 minuta më vonë një penallti në favor të Milanit transformohet në gol nga Ibrahimoviç, për të ardhur tek goli i tretë në minutën e 83 të shënuar nga Robinjo.

Ndërkohë Interi i penalizuar nga dëmtimet e shumta ka barazuar 1-1 në transfertë ndaj Leçes. Të dy golat në këtë takim u shënuan në pjesën e dytë të takimit. Fillimisht ishin zikaltërit ata që gjetën rrjetën të parët me anë të Militos në minutën e 76, ndërsa vendasit barazuan me Oliveirën vetëm 3 minuta më vonë.

Në barazim 1-1 u mbyll edhe takimi mes Breshias dhe Juventusit. Bardhzinjtë edhe pse kaluan të parët në avantazh me anë të Kualjarelës në minutën e 71, sërish nuk kanë dalë fitues nga kjo sfidë, pasi vendasit barazuan me Diamantin vetëm 2 minuta më vonë.

Ndërkohë Lacio, pas humbjes në derbin ndaj Romës ka pësuar një tjetër tronditje. Bardhekaltërit janë mposhtur me rezultatin 1-0 nga Çezena. Goli i Marko Parolos vendosi fitoren e vendasve. Në këtë takim u aktivizua edhe sulmuesi shqiptar i Çezenas, Erjon Bogdani për 90 minuta.

Roma arrin fitoren e dytë radhazi, sërish me një skuadër të vështirë. Pas Lacios në fundjavë, verdhekuqtë mposhtin edhe Fiorentinën me rezultatin 3-2. Golat u shënuan nga Simplicio, Borrielo dhe Perrota për vendasit, ndërsa për miqtë shënuan Xhilardino dhe D’Agostino.

Napoli fitoi minimalisht 0-1 në transfertë ndaj Kaljarit, Katania mundi Udinezen 1-0, Xhenoa-Bolonja po 1-0 dhe Kievo-Bari 0-0.

Pas javës së 11, Seria A kryesohet nga Milani me 23 pikë, i ndjekur nga Lacio me 22, Napoli 21, Inter 20 dhe Juventus 19.

Top Channel