Kuzhe, të mërkurën në Tiranë

09/11/2010 12:25

Pas pushimit disajavor në Zagreb, trajneri Josip Kuzhe do të kthehet në Tiranë. Të mërkurën, drejtuesi i stolit kuqezi do të rikthehet në Shqipëri, në prag të miqësores së 17 nëntorit, që Kombëtarja do të luajë në Korçë kundër Maqedonisë.

Gjatë mesjavës, tekniku kroat pritet të publikojë edhe listën me futbollistët që do të ketë në dispozicion për këtë testim, ndërsa priten edhe mjaft emra të rinj, ku një prej tyre është mesfushori 23-vjeçar i Kievos në Serinë A, Ledian Memushaj.

Gjatë fundjavës, Kuzhe pritet të ndjekë të paktën një ndeshje të javës së 11-të të Kategorisë Superiore, për të vëzhguar formën e lojtarëve të përfaqësueses, ose të ndonjë elementi që cilësohet si kandidat potencial. Grumbullimi i ekipit shqiptar do të nisë të dielën, më 14 nëntor.

Skuadra do të akomodohet në qytetin liqenor të Pogradecit, ku do të stërvitet për tri ditë. Ndërkohë, ndeshja me Maqedoninë, e cila është e fundit për vitin 2010, do të luhet në orën 18.00 me drita në stadiumin e Korçës.

Top Channel