Që prej ndarjes së parakohshme nga jeta të udhëheqësit të Kosovës Ibrahim Rugova, partia e tij, ka përjetuar disa kriza. Ndarje përçarje dhe së fundi edhe fraksione.

Nga largimi i Nexhat Dacit, te kriza e brendshme që përfshiu partinë pasi një president shteti i dalë prej saj u shpall si shkelës i kushtetutës, e deri tek braktisja nga i biri i ish presidentit të ndjerë Ukës. LDK kërkoi një udhëheqës që t’i printe në rrugën e shpëtimit.
 
Dhe liderët e vërtetë janë ata që spikatin në kohë të vështira. LDK gjendet përballë zgjedhjeve të reja të parakohshme jo e barabartë me rivalen ish-aleate në qeveri. Me një sërë problemesh të brendshme dhe në kërkim të një shpëtimtari emri i të cilit përflitej prej kohësh si trashëgimtari më i denjë i të ndjerit Rugova, i përzgjedhuri ishte Isa Mustafa.
 
Ai ishte njeriu që prej kohës kishte kërkuar daljen nga koalicioni me PDK duke parashikuar thuajse një fund si ky produkt e së cilës janë dhe zgjedhjet, por kurrë duke tradhëtuar vijën e përgjithshme të partisë.

I njohur si njeri i parimeve të forta e duke pasuar një garë të cilën preferoi ta luante me rregulla të ndershme pa prapaskena ndaj Sejdiut njeriut që e kishte mbështetur në politikë, Isa Mustafa vjen në krye të LDK-së si një domosdoshmëri që e lind kërkesa për ndryshim dhe si një ndër njerëzit më të votuar që ka kjo parti. Një personalitet të cilit votimi popullor i besoi për dy mandate rresht drejtimin e komunës së kryeqytetit kosovar.

Me legjitimitetin që të jep votëbesimi i më tepër se 57 % të zgjedhësve në një popullsi prej 600 mijë banorësh të Prishtinës Mustafa merr kështu në duar edhe frenat e partisë në një sfidë shumëdimensionale.  

I lindur më 15 maj 1951 në Prapashticë të Prishtinës, Mustafa jeton në kryeqytet me gruan, vajzën dhe dy djemtë e tij. Ky është qyteti ku është arsimuar në Fakultetin Ekonomik dhe ku ka marrë titullin doktor në ekonomi, në fushën e lidershipit të bizneseve.

Karriera e tij e ka vënë shpesh në pozicione drejtuese me karakter ekonomik, që nga drejtor i Entit për Plan dhe Zhvillim të Kosovës e deri tek ai Ministrit të Ekonomisë dhe Financave të Republikës së Kosovës (1991-1999) apo dhe këshilltar i lartë i presidentit nga shkurti i 2006-ës deri ditën që u zgjodh kryetar i Komunës së Prishtinës.

Përveç shumë punimeve në lëmin e ekonomisë, profesori i universitetit, Mustafa njihet për angazhimin e tij me grupet ekspertëve në momente historike si gjatë bisedimeve të Vjenës për statusin përfundimtar të Kosovës.

Në periudhën e viteve 1990-1999, pas shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, është ndjekur nga regjimi serb dhe ka qëndruar jashtë Kosovës, kryesisht në Gjermani, Zvicër, Shqipëri, Slloveni dhe Kroaci.

Kritik i qeverisë Thaçi ku pjesë ishte dhe partia e tij, e po ashtu i linjave që ndiqte kjo forcë në raport me ish-partnerin e koalicionit Mustafa vjen pa dyshim si një lider i një profili nga ato që deri tani nuk i kemi parë shpesh në ekrane.

Diskret ndaj mediave, e fjalëpak, pa dyshim që kjo zgjedhje e anëtarëve të LDK-së i ofron një mundësi të re jo vetëm partisë pasi ai gëzon edhe simpatinë e të “larguarve”, por dhe skenës politike në Kosovë.

Kosova është një demokraci e re. Asnjë zhvillim nuk përsërit vetveten dhe si e tillë ajo çka do t’i duhet këtij udhëheqësi të ri është sfidojë vetveten, të kaluarën, të ruajë besimin që iu dha, dhe t’i prijë partisë së Rugovës jo vetëm drejt fitores në zgjedhjet e 12 dhjetorit, por dhe drejt rikthimit të lavdisë së dikurshme…

Top Channel