Dimri në prag, shtabi i emergjencës nis përgatitjet

07/11/2010 09:30

Dimrat e gjatë dhe të ashpër në zonën e Verilindjes së Shqipërisë kanë krijuar gati çdo vit situata emergjente e ndonjëherë edhe dramatike në zonat e rurale.

Dhjetëra fshatra dhe komuna të tëra bllokohen nga dëbora dhe sistemi rrugor bllokohet gjithashtu nga shembjet e dheut dhe erozioni.

Pikërisht për të mos u gjetur të papërgatitur, shtabi i emergjencës në Kukës, nën drejtimin e prefektit Elez Maçi ka analizuar këto ditë gjendjen aktuale të rrugëve, infrastrukturën e brendshme të fshatrave dhe masat e marra për t’i bërë ballë dimrit që është në prag.

“Shtabi i Emergjencave Civile ka marrë në shqyrtim të gjitha problemet që kërkojnë zgjidhje pa humbur shumë kohë, sepse dëbora mund të zërë rrugët tashmë”, tha prefekti Maçi duke përmendur rrugët kombëtare dhe ato rurale, ujin e pijshëm, energjinë elektrike, bazën ushqimore dhe zahiretë, medikamentet mjekësore veçanërisht ato të ndihmës së shpejtë.

Maçi tha se Kukësi nuk duhet të gjendet i papërgatitur ashtu siç ka ndodhur në vitet e shkuara kur është dashur që edhe thasët e miellit t’i sjellin me helikopter nga Tirana. “Kam kërkuar bashkëpunim të programuar nga të gjitha strukturat e Qarkut të Kukësit, duke përfshirë Policinë e Shtetit dhe ushtrinë, për të përballuar situatat e ndryshme që mund të ndodhin gjatë stinës së dimrit ku për shkak të temperaturave tepër të ulëta dhe reshjeve të shiut dhe të dëborës bllokohen rrugët dhe zonat e thella izolohen për shumë ditë”, tha Maçi.
 
Nga ana tjetër është kërkuar edhe bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve për të garantuar të gjitha mjetet e nevojshme për të pastruar rrugët nga bora. Po ashtu të gjithë drejtuesve të institucioneve në Qarkun e Kukësit u është shpërndarë një listë me prioritetet e mundshme për masat parandaluese gjatë dimrit të ashpër duke iu referuar problemeve që janë evidencuar në të njëjtën periudhë të viteve të shkuara.

Institucioneve u është kërkuar gjithashtu të hartojnë planin e masave në rast të fatkeqësive natyrore me qëllim ndërhyrjen e shpejtë dhe efikase për shpëtimin e jetës së njerëzve dhe pronës. Zonat më problematike që izolohen që në fundin e nëntorit apo në fillim të dhjetorit, nga reshjet e dëborës, janë Shishtaveci, Zapodi, Topojani, Kalisi, Gryka e Çajës, Arrni, si dhe një numër komunash në rrethin e Tropojës.
 
Institucionet vendore, si dhe entet e rrugëve kanë kërkuar nga shteti, në këtë rast nga shtabi i përgjithshëm i emergjencave civile mbështetje reale dhe të fortë për zonat që izolohen nga dëbora. Kjo mbështetje, siç u theksua nga disa drejtues vendorë, duhet të jepet së pari me likuidimin e disa borxheve të krijuara në vitet e shkuara, dhe së dyti me mbështetje logjistike efikase dhe fonde më të mëdha për fuqi punëtore.

Në vitet e shkuara, sipas vendorëve, dikasteret qendrore kanë këmbëngulur që vendorët të kontraktojnë subjektet e duhura private për të zhbllokuar rrugët nga dëbora. Por edhe pse ka kaluar një kohë e caktuar, borxhi i krijuar ndaj subjekteve private asnjëherë nuk u shlye. Këto pretendime kanë të bëjnë me rrugët e Shishtavecit të pastruara gjatë dimrave të shkuar, me rrugën e Bushtricës, Kalisit, disa rrugë në Tropojë, si dhe rrugët e Hasit që kapin shifrën e dhjetëra milionë lekëve të vjetra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA