Piramida, Solar: Rivlerësim, jo prishje

06/11/2010 15:10

Giora Solar është diplomuar për arkitekturë dhe planifikim urban. Për vite të tëra ai ka akumuluar poste të rëndësishme në fushën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, anembanë botës.

Ka qenë drejtor i Institutit Getty në Los Angeles, që mban emrin e multimiliarderit Jean-Paul Getty, Sekretar i  Përgjithshëm i ICOMOS, që është Këshilli ndërkombëtar i monumenteve dhe siteve, që ka për synim ruajtjen dhe nxjerrjen në pah të vlerave të trashëgimisë arkitekturore. Apo drejtor i njësisë së departamentit të ruajtjes së qytetit të Jeruzalemit. Cdo dy vjet ai vjen në Shqipëri për ruajtjen e sitit arkeologjik të Butrintit.

Ai mendon se Piramida ka vlera arkitektonike dhe në vend të prishjes për arsye të simbolikës komuniste, ai mendon se më e udhës do të ishte nxjerrja rivlerësimi i godinës në funksion të komunitetit.

“Pa dashur të futem në asnjë opinion politik, por vetëm kulturor, kur flasim për trashëgiminë kulturore, ne flasim kryesisht për vlerat kulturore. Në këtë rast, shkatërrimi i ndërtesës nuk do të ndryshojë asgjë historike, nuk do të ndryshojë fakti që Shqipëria ishte për shumë vite një vend komunist nën regjimin e Enver Hoxhës. Unë do ta shikoja një ndërtesë të tillë, së pari nëse ka vlera arkitekturore. Unë e pashë në kontekstin urban nga lart. Nga fotot dhe nga lart duket në rregull, duket një ndërtesë mjaft interesante, duke përfaqësuar pakëz periudhën e betonit dhe xhamit të ekspozuar, pra një arkitekturë mjaft interesante”, thotë Solar, cili shton se godina mund të rivlerësohet.

Një rast i ngjashëm

 Solar: Unë do t’ju jap një shembull, për një projekt politikisht dhe historikisht shumë delikat dhe të ndjeshëm që kam patur këtu në Jeruzalem. Ishte vila private e një lideri palestinez të viteve ’20-30, myftiut që bëri thirrje për shpërnguljen e çifutëve dhe bashkëpunoi me Hitlerin. Ndërtesa e tij qëndron në këmbë. Ajo u ble nga një grup i cili më kërkoi mua të përgatisja një dokumentacion historik dhe më thanë se donin ta shkatërronin ndërtesën. Unë u thashë që shkatërrimi i një ndërtese për arsye politike është një vendim politik, dhe jo kulturor. Për mua kjo ndërtesë ka një vlerë jo sepse ishte shtëpia private e një myftiu apo ndonjë arsye tjeter, por sepse ka një vlerë arkitekturore, është pjesë integrale e një lagjeje… Personi vdiq para shumë vitesh, por ndërtesa qëndron akoma në këmbë. Ju mund ta përdorni si një xhami, ju mund ta bëni një sinagogë, mund ta përdorni si një shtëpi rezidenciale, në këtë rast historia mbetet, vlerat mbeten, mund të ketë një tjetër vlerë sociale për komunitetin. Dhe në rastin tuaj ju mund ta tregoni historinë e Enver Hoxhës, ose mund të zgjidhni të mos e tregoni. Nëse më duhet të flas për ruajtjen, nesë duhet ruajtur si një monument, atëherë të paturit e një simbolizmi politik historik do të ishte vetëm një aspekt. Aspekti tjetër do të qëndrojë në vlerat arkitekturale, urbane dhe vlerat e jetës në komunitet. Nëse dikush më thotë që kjo është një n
dërtesë e shëmtuar, me një arkitekturë shumë të keqe që demton pamjen e qytetit, nuk ndihmon në përmirësimin e qytetit dhe nuk ka vlera historike, atëherë do të thoja “Dakort, mos diskutoni ruajtjen, bëni çfarë të doni!” Por ajo që është parësore të diskutohen janë vlerat e saj të ndryshme. Ne po ruajmë disa kampe përqendrimi si Auschëitz, ne po ruajmë disa burgje, burgje shumë të këqija. Disa njerëz i urrejnë këto dhe thonë se ato janë simbole të periudhës më të keqe që ka ekzistuar ndonjeherë. Miliona njerëz u vranë aty, le t’i shkatërrojmë! Por jo, ne i ruajmë; ato janë vende të Trashëgimisë Botërore. Le të lemë historinë të tregojë pjesën e keqe të historisë. Pra, nuk është argument që ky është një simbol i komunizmit; pavarësisht nëse ju pëlqen komunizmi apo jo, nuk duhet të jetë ky kriteri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA