
Pasi u detyruan të investonin miliona euro për ndërtimin e depozitave të naftës dhe gazit në Porto Romano në Durrës, si kusht ndaj vendimit të qeverisë, tani importuesit e naftës po përballen me një situatë diskriminuese.
Plani i qeverisë për të hapur Portin e Shëngjinit në shërbim të Kosovës, duke përfshirë edhe lejimin e tregtimit të shkarkimit dhe përpunimit të naftës ka sjellë reagimin e Shoqatës Shqiptare të Hidrokarbureve.
Biznesi i këtij sektori është kategorikisht kundër vendimit të qeverisë për të lejuar portin në Veri të vendit që të shërbehet edhe për tregtinë e naftës, vetëm për nevoja të Kosovës.
Ky biznes nuk shprehet kundër lejimit të portit për t’ia dhënë me koncesion shtetit të Kosovës, nga ku mund të përfitojë edhe Serbia, por në rastin e lejimit të depozitave të naftës për këto shtete, situata duket e patolerueshme.
Në vitin 2007, më saktë në korrik, qeveria nxori një vendim që i kushtëzonte importuesit të mos sillnin më naftë dhe gaz përmes porteve të Shëngjinit, Durrësit, Vlorës dhe Sarandës, por vetëm përmes dy pikave që ishin Porto Romano dhe Petrolifera, që të dyja pak kilometra larg Durrësit dhe Vlorës.
Të dyja zonat u miratuan me vendim qeverie dhe u cilësuan si porte të hapura posaçërisht vetëm për importimin, tregtimin dhe përpunimin e karburanteve, si naftë, benzinë, gaz dhe nënprodukte të tjera.
Në këto kushte tregtarët nisën të ndërtonin depozita në Porto Romano, duke blerë troje dhe investuar në disa milionë euro për një depozitë 10 mijë tonë. Kurse në Petroliferën e Vlorës, depozitat ishin ngritur nga një kompani private italiane, e cila tashmë i ka lëshuar qira.
Pasi punuan për dy vjet për ngritjen e depozitave, shumë shoqëri madje morën kredi, ndërsa të tjera u zhvendosën nga Shëngjini, tani qeveria po shikon të vërë në zbatim hapjen e portit në Veri të vendit, duke shkelur të drejtën e vendosur nga vetë ajo.
Për këtë qëllim, një kryesi e Shoqatës së Hidrokarbureve zhvilloi dje një takim me drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Biznesi i këtij sektori ka njohur zyrtarët e ministrisë mbi shqetësimet dhe efektet negative që rrjedhin nga lejimi i mundshëm i portit të Shëngjinit për tregtim nafte vetëm për interesa të Kosovës.
Lajmi mbi takimin konfirmohet nga burime zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë, të cilët nuk pranuan të jepnin më shumë detaje, por shtuan se importuesit parashtruan ankesën e tyre mbi bazën e një analize kosto-përfitim nga procesi i zhvendosjes së depozitave në Porto Romano.
Tentativat e para për t’ia kaluar Portin e Shëngjinit qeverisë së Kosovës përmes formulës me koncesion janë marrë në maj të vitit 2006, pas takimit që Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, pati me një nga drejtuesit kryesorë të qeverisë së Prishtinës.
Në fakt, prej disa kohësh, qeveria e Kosovës po e shikon me mjaft seriozitet kalimin nën pronësi të portit verior shqiptar, si mundësi e madhe për të dalë në det dhe si rast oportun për të ulur shpenzimet e transportit për linjat e Selanikut në Greqi.
Top Channel