Berisha në Shkodër, inaugurime dhe akuza

06/11/2010 19:40

Në vigjilje të marrjes se vendimit përfundimtar në Bruksel për liberalizimin e vizave, kryeministri Sali Berisha jo pa qëllim ka zgjedhur të vizitojë Shkodrën, kryeqendrën jo vetëm të veriut të vendit, por edhe të qëndresës antikomuniste kundër regjimit që izoloi vendin për 45 vjet.

Në inaugurimin e disa veprave publike, me vlerë rreth 133 milionë lekë, si dhe rrugëve me emra simbolikë të Skëndërbeut, presidentit amerikan Willson apo Europa, kryeministri Sali Berisha tha se liberalizimi i vizave ishte meritë e përpjekjeve të shqiptarëve dhe e qeverisë së tij.

“Lëvizja e lirë nuk përbën një dhuratë, por përbën një proces në të cilin ne dëshmuam seriozitetin dhe përkushtimin më të madh. Dhe kjo është njëkohësisht dhe arritja më madhore, besimi më i madh që Evropa e qytetëruar ka dëshmuar ndaj qytetarëve të Shkodrës dhe qytetarëve të mbarë Shqipërisë. Ata që deshën të fusin lëvizjen tuaj të lirë në kuti, le të mbeten vete në bunker, ne do të ecim drejt Evropës pa u ndalur”, ka deklaruar Berisha.

Por, megjithëse përmendi cështjen e zgjedhjeve për herë të parë në këto 15 muaj mosmarrëveshje me opozitën, kryeministri Berisha nuk bëri, si zakonisht, ftesë për bashkëpunim mes palëve. Madje, veprimet e opozitës i cilësoi si përpjekje për izolimin dhe ndëshkimin e vendit.

“Kultura e bllokut, apo antikultura e bunkerit, ka nxjerrë kulturën e kutisë dhe kërkon të bindë se kutia qenka fatkeqësia e Shqipërisë.  Jam sot këtu për t’u zotuar se sa herë të votoni do të votoni njëlloj si qytetarët e vendeve më të zhvilluara të Evropës dhe askush me kuti dhe pa kuti nuk do të mund t’ju marrë kurrë votën. Le të mbeten ata skllevër të kulturës së bunkerit të bllokut. Ne çdo ditë do të përqafojmë do të zgjerojmë liritë tona si rruga më e mirë e të ardhmes sonë”, ka pohuar Berisha.

Vizita e kryeministrit në Shkodër përkoi edhe me 20-vjetorin e mbajtjes së meshës së parë katolike në këtë qytet, pas ndalimit të fesë nga regjimi komunist, që në nëntor të ’90-ës, ende nuk ishte rrëzuar në Shqipëri.

Dy dekada pas meshës së parë, në katedralen e Shkodrës është hapur ekspozita me fotografi të klerikëve të martirizuar gjatë regjimit dhe objekte të kishës katolike.

Por ajo që spikat vecanërisht janë fjaleë e Papa Gjon Palit të dytë në meshën e mbajtur në Shkodër, ku u jepte kurajë shqiptarëve të ecnin me besim drejt së ardhmes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA