Laska, shembulli i Disiplinës

05/11/2010 11:30

Me “dorë të hekurt”. Kjo duket se ka qenë motoja e Komisionit të Disiplinës, i mbledhur në orët e vona të së mërkurës, për të analizuar problemet e javës së fundit futbollistike, ku, për të thënë të vërtetë, nuk mungonin rastet e dhunës apo parregullsitë e tjera.

Incidenti në ndeshjen mes Laçit dhe Skënderbeut, ku presidenti i laçianëve, Pashk Laska, dhunoi futbollistin maqedonas të korçarëve, Borçe Ristovski, i ka kushtuar shtrenjtë drejtuesit të lartë të skuadrës së Stavri Nica. Komisioni i Disiplinës e ka pezulluar Laskën “për goditje të kundërshtarit në ambientet e stadiumit për nëntë ndeshje, ndalim të hyrjes në stadium dhe me një gjobë prej 1 milion lekësh të vjetra”.

Incidenti

 Ja çfarë ndodhi në të vërtetë në ndeshjen Laçi-Skënderbeu, të fituar 1-0 nga miqtë. Gjithçka është shkruar edhe në raportin e delegatit të ndeshjes, Maçi, i cili mësohet se ka qenë i vetmi dëshmitar i pranishëm në momentin e incidentit, duke qenë shumë pranë dhe me sa duket ka parë gjithçka.

Në këtë raport thuhej se “pas përfundimit të takimit, futbollisti Ristovski ishte i fundit që hyri për në pjesën e brendshme të stadiumit drejt dhomave të zhveshjes. Ai, i gëzuar edhe nga fitorja, ka sharë në shqip laçianët ‘ju q.. motrën’, çka ka shkaktuar edhe reagimin e presidentit të Laçit, i cili, i provokuar nga sharjet, e ka goditur menjëherë me grusht në stomak dhe Ristovski ra përdhe”.

Pranimi

Vetëm pak ditë pas ndeshjes, kur dhe ndodhi incidenti, presidenti i klubit të Laçit, Laska, ka pranuar se ka goditur futbollistin maqedonas të Skënderbeut, Ristovski, në përfundim të ndeshjes së të shtunës. Këtë e ka bërë në një takim të zhvilluar në Federatën Shqiptare të Futbollit, së bashku me presidentin e saj, Armand Duka. Laska nuk ka mohuar asgjë, por, sipas tij, kjo ka ardhur nga një fyerje e rëndë e bërë nga maqedonasi. Kjo ua ka lehtësuar pak më shumë punën anëtarëve të Disiplinës, në lidhje me vërtetësinë e ngjarjes. Por ndëshkimi i tij duket se është shfrytëzuar nga komisioni, si një shembull ndaj dhunës në fushat e futbollit.

Reagimi

 Menjëherë pas daljes së vendimit të Komisionit të Disiplinës, i është kërkuar një prononcim në lidhje me pezullimin e gjatë Laskës. Por ai ka reaguar qetësisht, duke nënkuptuar se e pranon vendimin e Disiplinës, por me një ankesë që gjithsesi nuk e ndryshon më rrjedhën e asaj që ka ndodhur. “Nuk do ta apeloj vendimin për 9 javë pezullim dhe 100 mijë lekë të reja gjobë”, është shprehur Laskaj, i cili duket se e kishte parandier këtë gjë. “Të bëhet, ç’të bëhet… Por mendoj se nuk duhet të më kishin ndëshkuar vetëm mua. Lojtari i Skënderbeut ishte ai, i cili me të sharat e tij, provokoi reagimin tim, ndaj duhej ndëshkuar edhe ai”, shtoi Laskaj. Një tjetër vendim i Disiplinës në lidhje me ndodhitë në Kategorinë Superiore ka shkuar edhe për Renaldo Kalarin, lojtarin e Kastriotit, i cili për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, dënohet me 4 ndeshje pezullim dhe 100.000 lekë të reja gjobë.

Top Channel