Debati për borxhin

05/11/2010 15:35

Çështja e borxhit u shndërrua në temën më të nxehtë të debatit mes ministrit të Financave dhe deputetëve të opozitës në takimin e organizuar nga delegacioni i Parlamentit Europian gjatë vizitës në Tiranë. (UPDATE)

Ish-ministri socialist Arben Malaj tha se qeveria e ka futur ekonominë në një zonë të rrezikshme me borxhin e lartë.

“Në momentin që kjo mazhorancë ka ardhur në pushtet, pretendonte dhe premtonte se borxhi publik mund të shkonte deri në 49%. Sipas dokumentave zyrtarë që i janë dorëzuar qeverisë shqiptare nga FMN, deri në vitin 2013, kur mbaron ky mandat, borxhi publik i Shqipërisë tenton të shkojë deri në 69%”, deklaroi Malaj.

Por ministri i Financave, tha se nuk ishte qeveria ajo që e rriti borxhin, por të tjerë faktorë.

“Ne kemi një rritje prej 3% të borxhit publik që kushtëzohet së pari, nga ndryshimi i kursit të këmbimit të euros me lekun; së dyti, në vitin 2008 ne njohëm si borxh publik të gjitha diferencat e kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë në 15 vjet”, tha Bode.

Zoti Bode tha se përtej ankesave të opozitës, ekonomia shqiptare jo vetëm që i mbijetoi krizës, por po përshpejton edhe ritmet.

“Gjatë gjysmës së parë të vitit 2010, rritja ekonomike ishte 2% në tremujorin e parë dhe 3.3% në tremujorin e dytë. Ajo që ne presim në përfundim  të këtij viti do të jetë një rritje ekonomike rreth 4% dhe defiçiti vjetor të zbresë në nivelin 3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 7% që ishte vitin e kaluar”, theksoi Bode.

Por opozita, i kërkoi delegacionit të Parlamentit Europian që të ndërhyjnë për të çertifikuar shifrat e ekonomisë shqiptare, duke hedhur dyshime se qeveria po i manipulon ato.

“Ne jemi të shqetësuar për mënyrën e llogaritjes së shifrave nga INSTAT. Ne konsiderojmë se ndihma që mund të japë BE nëpërmjet një asistence për ndërhyrje cilësore në statistikat tona, është shumë e çmuar, për një vlerësim sa më realist të gjendjes ekonomike”, tha Meksi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA