Milo: Greqishtja në Himarë e trashëguar

04/11/2010 00:05

I ftuar në emisionin “Top Show”, historiani dhe politikani, Paskal Milo, deklaroi se gjuha greke në Himarë është gjuhë e trashëguar. Referuar deklaratës së kryeministri Berisha pak javë më parë, Milo tha se dygjuhësia në Himarë nuk është 200 vjeçare. Sipas tij kjo dygjuhësi i ka rrënjët më thellë në histori.

“Greqishtja në Himarë është gjuhë e trashëguar. Nuk është e vërtetë që greqishtja ka 200 vjet që flitet në atë zonë dhe për këtë duhet të jemi seriozë”, tha zoti Milo.

Për të argumentuar mendimin e tij zoti Milo solli pemën gjenealogjike të familjes së tij e cila sipas tij shkon deri në vitin 1625, kur flitej greqisht, një greqishte, gjithnjë sipas zotit Milo, arkaike e cila ndryshon nga greqishtja moderne. Milo për nga pikëpamja gjuhësore krahasoi banorët e Himarës me arvanitasit në Greqi.

“Pema gjenealogjike e familjes time shkon deri në 1625. Në të gjithë këto shekuj aty flitej greqisht, një greqishte e kohës së Mesjetës. Nga pikëpamja gjuhësore është si arvanitasit shqiptarë në Greqi që flasin një shqipe arkaike. Krahina nuk duhet trajtuar bardh e zi, ka patur bashkëjetesë kulturore, zakonesh, etnish sepse në Mesjetë nuk ka patur kufij shtetërorë, as dogana, as polici, as komb”, vijoi më tej Milo.

Ndërkohë, në fjalën e tij, historiani tjetër i ftuar në studio, Pëllumb Xhufi u shpreh se çështja e kombësisë është një çështje objektive që nuk mund të zgjidhet.

“Kemi të bëjmë me çështje të kombësisë që është një çështje e të qenit, e faktit dhe jo e zgjedhjes. Gjërat kanë evoluar, ka patur një specifike. Himara ka qenë një vend i hapur ndaj botës në perëndim dhe lindje. Ndarja ndodhi në shekullin 18 kur pushoi qendra e lëvizjes anti-osmane. Në Himarë u organizua rezistenca dhe vazhdoi kjo edhe në vitet e mëvonshme dhe në hyrje të kishës në Himarë kemi 2 shqiponja”, deklaroi Xhufi.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA