Autobusët, rikthehen abonetë

04/11/2010 00:55

Kryetari i Bashkisë së Tiranës deklaroi të mërkurën se nga dita e enjte qytetarëve të Tiranës duhet t’u shiten abone dhe t’u njhen të gjitha kartat që u garantojnë atyre udhëtim falas.

“Ështe e patolerueshme që të penalizohen qytetarët dhe që abonetë dhe kartat e tjera që njihen nga ligji të refuzohen për qytetarët”, deklaroi zoti Rama.

Nga ana tjeter Kryetari i Bashkisë i kërkon qeverisë të marrë në konsideratë lehtësitë fiskale që kërkojnë operatorët e linjave të transportit urban përsa i përket taksave, pasi ata duhen diferencuar nga  mjete të tjera.

Rama akuzon se rritja e këtyre taksave është politikë e qeverisë për të fituar betejën për Tiranën në zgjedhjet vendore të 8 majit.

“Qeveria të japë zgjidhjet e veta për të lehtësuar importin e mjeteve të transportit publik duke diferencuar taksën për këto mjete dhe njëkohësisht të rishikojë vendimin e TVSH-së që është rritur në mënyrë eksponenciale dhe ne kemi të gjitha arsyet të besojmë se është bërë me qëllim për të penguar transformimin rrenjësor të të gjitha linjave në kryeqyteti në funksion të betejës për kryeqytetin që e kanë të humbur dhe është e kotë që përpiqen ta ndryshojnë fatin e saj me këto metoda që prej vitesh kanë rënduar vetëm mbi jetën e qytetarëve”, u shpreh Rama.

Ndërkohë në mbrëmje shoqata e transportit publik u mblodh duke vendosur rikthimin e aboneve.

“Deklarojmë se që nga data 4 do të nisë shpërndarja e aboneve për muajin nëntor, pavarësisht këtij vendimi, përpjekjet tona për realizimin e kërkesave tona do të vazhdojnë edhe në të ardhmen duke inicuar kontakte me institucionet përgjegjëse qendrore dhe vendore”, thuhet në deklaratën e shoqatës së transportit publik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA