Mourinho rikthehet në “San Siro”

03/11/2010 12:35

José Mourinho rikthehet në Milano, në qytetin e tripletës.

Pas 5 muajsh, trajneri rikthehet në San Siro për të luajtur përballë Milanit, por këtë herë portugezi është trajner i Real Madrid.

Në konferencën për shtyp në San Siro, është prezantuar një Mourinho ndryshe nga ç’janë mësuar gazetarët italianë ta shikojnë në të kaluarën. “Eshtë një ndeshje e vështirë”, ka deklaruar i qetë Mou.

Presim një Milan të fortë dhe më të motivuar, por ne jemi në formë të mirë dhe mund të fitojmë edhe këtu, ka pohuar portugezi i cili ka falenderuar edhe tifozët interistë për pritjen që i bën në aeroportin e Malpensës.

Reali ka kujtime jo shumë të mira nga San Siro, pasi nuk ka mundur të fitojë asnjë ndeshje në këtë stadium, ka 10 humbje dhe 3 barazime. Por mediat spanjolle janë optimiste, pasi sipas tyre Mourinho si ish-trajneri i Interit di shumë mirë si të fitojë në këtë impiant gjigand.  

Ndërkohë, trajneri i Milanit Allegri mendon se skuadra ka kapacitetin e duhur për të reaguar pas dy humbjeve të fundit. Jemi një skuadër e fortë, ka theksuar italiani. Kemi kualitete të mira teknike dhe duhet të luajmë si skuadër. Celsi i suksesit në këtë ndeshje? Duhet të mbajmë nën presion Realin dhe të mos përsërisim gabimet e 2 javëve më parë ka përfunduar Allegri, i cili në këtë sfidë do të ketë në dispozicion Ronaldinhon, Zambrotën, Tiago Silvën dhe Ambrosinin të rikthyer nga dëmtimet.

Top Channel