Massa: Do ndihmoj Alonson

03/11/2010 10:00

Piloti brazilian i Ferrarit, Felipe Massa, pranon që mund të heqë dorë nga triumfi në garën e shtëpisë së tij për të ndihmuar shokun e skuderisë, Fernando Alonso, për të fituar titullin kampion.

“Nëse do të varej nga unë, patjetër që do ta ndihmoja. E kam bërë edhe më parë në vitin 2007”, u shpreh Massa për mediat braziliane.

Massa i referohet sezonit 2007, kur lejoi që shoku i tij i atëhershëm tek Ferrari, Kimi Raikkonen, ta parakalonte po në pistën braziliane.

“Nuk mund të them që Alonso është shoku im më i mirë i ekipit që kam pasur. Kam pilotuar me Schumacher, për të cilin flet vetë karriera e tij. Gjithashtu edhe Raikkonen ishte një pilot i shkëlqyer. Besoj se të tre janë në të njëjtin nivel”, deklaroi Massa.

Gjithashtu, braziliani pranoi se me makina të njëjta, Alonso ka pasur një rendiment më të lartë se vetë ai: “Fernando është treguar më kompetitiv këtë vit. Për mua ka qenë një vit i keq, sidomos përsa i përket provave zyrtare. Alonso e meriton titullin”.

Top Channel