Batista konfirmohet trajner i Argjentinës

03/11/2010 09:30

Sergio Batista u konfirmua sot si trajner i përfaqësueses argjentinase të futbollit nga Federata Argjentinase e Futbollit (AFA).

Sipas burimeve zyrtare, trajneri u zgjodh me konsensus nga Komiteti Ekzekutiv i AFA-s për të qenë trajner i kombëtares ‘albiceleste’ deri në 2014.

Batista ishte deri ditën e djeshme trajner i përkohshëm i Argjentinës pas shkarkimit të Maradonës në Botërorin e fundit, kur kombëtarja dy herë fituese e Kupës së Botës u eliminua në çerekfinale nga Gjermania.

“Jam shumë i gëzuar, është një përgjegjësi shumë e madhe dhe dua të falenderoj Grondonën (presidenti i AFA) dhe Komisionin për besimin që patën tek unë”, u shpreh Batista.

Trajneri firmosi një kontratë katër vjeçare deri në përfundimin e eliminatoreve të Amerikës së Jugut, e cila mund të zgjatet deri për Botërorin “Brazil 2014” nëse Argjentina kualifikohet.

Ndeshja e ardhshme e Argjentinës është më 17 nëntor, në një miqësore ndaj Brazilit që do të zhvillohet në Doha, Katar.

Top Channel