Një institucion kushtetues i Republikës ndodhet në krizë prej tetë muajsh, pasi nuk drejtohet nga kreu i tij, por Kuvendi jo vetëm që nuk e ka në rend dite zgjidhjen e kësaj krize, por do të shqyrtojë zgjedhjen e zyrtarëve që e mbajnë institucionin në të njëjtën statuskuo.
Bëhet fjalë për Avokatin e Popullit, i cili prej mbarimit të mandatit të Ermir Dobjanit, në shkurt të këtij viti drejtohet nga një prej komisionerëve. Ditën e sotme, Komisioni Parlamentar i Çështjeve Ligjore do të shqyrtojë gjashtë kandidaturat për komisionerë të Avokatit të Popullit, nga të cilët duhet të zgjidhen tre persona.
Sipas ligjit, nëse nuk është zgjedhur “Ombutsman”-i i Shqipërisë, siç quhet në gjuhën ndërkombëtare, atëherë ky institucion do të duhet të drejtohet nga komisioneri me moshë më të madhe.
Kandidaturat e paraqitura në Komisionin e Ligjeve janë: Artur Lazebeu, Florina Nuni, Sotiraq Nushi, Alma Faskaj Vokopola, Alket Jaupi dhe Mirgen Lata. Kuvendi do të duhet të miratojë tri nga gjashtë kandidaturat, të cilat do të zëvendësojnë komisionerët që tashmë u ka mbaruar mandati.
Kjo çështje ka në thelb dy pasoja të rëndësishme, të cilat ndikojnë si në ekuilibrin e institucioneve të pavarura, por edhe në sfidat politike të numrave në Kuvend. Kështu, Avokati i Popullit që duhet të zgjidhet sipas Kushtetutës, kërkon tri të pestave e votave të Kuvendit, vota të cilat mazhoranca nuk i ka e vetme, ndaj do të duhet të arrijë në kompromis me opozitën. Por zgjedhja e komisionerëve të rinj, mund të bëhet me shumicë të thjeshtë, megjithëse ligjërisht ende nuk është shumë e qartë.
Kjo sepse në ligjin për Avokatin e Popullit nuk specifikohet mënyra e zgjedhjes së komisionerëve të këtij institucioni. Sot në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Ligjore pritet të shqyrtohen kandidaturat e ardhura nga institucioni për zgjedhjen e komisionerëve të rinj. Nga burime në kryesinë e Kuvendit, mësohet se materialet janë shpërndarë ditën e premte dhe një pjesë e mirë e anëtarëve të komisionit nuk janë në dijeni për materialeve të mbërritura. Pra, kemi të bëjmë me një proces të saponisur, i cili padyshim që do të provokojë debate në mbledhjen e sotme të komisionit. Por duke parë edhe numrat e brishtë të mazhorancës në Kuvend, rrezikohet edhe shtyrja e zgjedhjes së komisionerëve të rinj brenda afatit të caktuar. Konkretisht, nëse deri më 7 nëntor, Kuvendi nuk do të arrijë të miratojë komisionerët e rinj, nga të cilët njëri do të komandohet në detyrën e Avokatit të Popullit, atëherë, ky institucion i vendosur në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë rrezikon të degradojë, pasi çdo mundësi drejtimi i tij nuk do të kishte bazë ligjore. Pra meqë kemi të bëjmë me një “ultimatum kushtetues”, mazhoranca do të përpiqet që t’i miratojë komisionerët në një procedurë të përshpejtuar, e cila sipas të gjitha gjasave nuk do të kalojë lehtë nga opozita.
E cila për të parën arsye, do të kërkojë që emrat të shqyrtohen në një proces diskutimi dhe jo duke i kaluar në një operacion “Blitz”. Por nëse procesi nuk mbaron dot në seancën e sotme, atëherë kandidaturat nuk do të mund të kalojnë për shqyrtim në seancën e së enjtes, që do të thotë që shkelet afati kushtetues që rrezikon mbijetesën ligjore të Avokatit të Popullit.
Përveç Avokatit të Popullit një sërë institucionesh të tjera janë në krizë nga mungesa e 84 votave në Kuvend, ku në radhë të parë është gjyqësori, pasi nuk janë miratuar ligjet për Konferencën e Gjyqësorit, administratën gjyqësore si dhe për Gjykatën Administrative. Një tjetër problem është edhe për miratimin e kodeve të rëndësishme, të cilat gjithashtu kërkojnë 3/5 e votave të deputetëve të pranishëm.
Top Channel