Shifrat e fundit të tregtisë dëshmojnë se importi i makinerive dhe pajisjeve ka filluar të bjerë sërish. Sipas INSTAT, në shtator bizneset shqiptare blenë 20 përqind më pak makineri krahasuar me një vit më parë.
Por pse ky tregues është i rëndësishëm.
“Zëri makineri-pajisje është esencial në rritjen e produktivitetit të sektorit të biznesit. Nëse ky sektor ka vend për ekspansion detyrohet që të marrë makineri e pajisje në mënyrë që kërkesën më të madhe, ta kompensojë me rritjen e produktivitetit të tij”, është shprehur Gjergj Filipi, instituti “Agenda”.
Në nëntë muajt e parë, importet e makinerive dhe pajisjeve janë 11 përqind më të ulëta se vjet, nëse do zhvishen nga efekti i kursit të këmbimit. Për shkak se këto mallra janë të lidhura direkt me investimet private, tkurrja e importeve të tyre ka pasoja afatgjata.
“Dobëson vrapin e rritjes ekonomike të vendit. Një nga katër komponentët e rritjes ekonomike janë edhe investimet të cilat nga publiku kanë rënë për mosmbledhje të ardhurash sipas parashikimit dhe nga privati po tregohet se gjithashtu kanë rënë”, theksoi Filipi.
Ai thotë se biznesi nuk po investon për dy arsye, që kanë lidhje me mungesën e financimeve, por edhe rënien e konsumit në treg.
“Ka një nivel krediti të ulët të bizneseve nga bankat e nivelit të dytë. E ndjejnë këtë presion dhe për këtë arsye nuk kreditohen. Ky është kapitali që do të blente makineritë dhe pajisjet me jashtë. Në radhë të dytë ne kemi një rënie të të gjitha indekseve sasiorë të shitjeve në vend, qoftë atyre me shumicë, qoftë atyre me pakicë. Dhë në radhë të tretë në shtator 2010 janë më pak euro të importuara në Shqipëri sesa në shtator 2008”, deklaroi Filipi.
Në një raport të publikuar një ditë më parë, BERZH vlerëson se edhe këtë vit ekonomia shqiptare do rritet me ritme të ngadalta, vetëm 3 përqind, shifër kjo më e ulët edhe se ajo e vitit të kaluar.
Top Channel