Plas te Tirana: Lojtarët, gati bojkoti

28/10/2010 10:30

Plas te Tirana. Lojtarët vazhdojnë të ngrenë zërin për rrogat e prapambetura. Madje, duke parë që gjatë këtyre katër muajve situata nuk ka ndryshuar, ata kanë kërcënuar drejtuesit e klubit se do të bojkotojnë fillimisht stërvitjen dhe më pas ndeshjet e kampionatit.

15 futbollistë bardheblu kanë firmosur gjatë ditës së djeshme një peticion, i cili i është dorëzuar shefit të klubit, Rauf Dimraj. Iniciatorët e këtij veprimi janë mbrojtësit Andi Lila dhe Tefik Osmani, që prej kohësh kërkojnë nga presidenti-donator, Refik Halili, përmirësimin e situatës.

Tashmë mund të thuhet pa frikë se polemikat e Tiranës për arbitrimin në Kavajë, ku humbën me rezultatin 2-1 përballë Besës, ishin thjesht një alibi për të fshehur problemet e brendshme.

Rezultatet e dobëta të skuadrës në fushën e lojës, lidhen në mënyrë të pashmangshme me vonesat në shlyerjen e rrogave të futbollistëve. Kjo mjafton që lojtarët e 24 herë kampionëve të mos kenë stimujt e nevojshëm për të dhënë më të mirën në fushë. Rezultatet e konfirmojnë: bardheblutë renditen në vendin e 8-të në klasifikimin e Kategorisë Superiore, vetëm me 9 pikë të grumbulluara në 8 javë të zhvilluara (2 fitore, 3 barazime dhe 3 humbje, me 9 gola të shënuar dhe po kaq të pësuar). Për sa kohë xhepi i tyre qëndron i boshatisur, futbollistët zbresin në fushë, por mendja e tyre qëndron te rrogat. Pothuajse gjysma e skuadrës nuk paguhet prej katër muajsh.

Futbollistëve të huaj që militojnë gjatë këtij sezoni me bardheblutë u është shlyer një pjesë e parave të parashikuara në kontratë, ndërsa prej tyre përjashtim bën vetëm sulmuesi Pero Pejiç, i cili nuk ka marrë asnjë qindarkë. Situata është bërë e padurueshme dhe si ka ndodhur normalisht, ata, të cilët kërkojnë me forcë që gjendja të ndryshojë janë mbrojtësit Lila dhe Osmani.

Dy elementë mjaft të rëndësishëm për skuadrën, liderë në fushën e lojës, por zëri i të cilëve ka mjaft peshë në dhomat e zhveshjes. Ata hodhën idenë e një peticioni që u është dorëzuar drejtuesve. Në letrën me kërkesën që iu dorëzua shefit të klubit, Rauf Dimraj, figuronin firmat e 15 futbollistëve.

Bardheblutë kërkojnë që KF Tirana të shlyejë detyrimet financiare, në të kundërt ata do të ndërmarrin hapin e parë të protestës, ku parashikohet bojkotimi i seancave stërvitore. Sportistët kanë përcaktuar edhe afatin kohor, që klubi do të ketë në dispozicion për të përmbushur detyrimet financiare. Brenda një jave, në një mënyrë apo një tjetër, drejtuesit e 24 herë kampionëve duhet të gjejnë fonde të mjaftueshme për të mbushur arkën dhe që më pas të shpërndajë rrogat e lojtarëve.

Afati njëjavor bën që stafi teknik të mos trembet për sfidën e kësaj fundjave me Teutën. Të gjithë futbollistët kryesorë pritet të zbresin në fushë në ndeshjen e së dielës, që do të luhet në kryeqytet. Por, nëse deri në mesjavën e ardhshme problemet financiare nuk do të zgjidhen, pas bojkotit të stërvitjes, futbollistët kanë bërë të ditur se nuk do të luajnë në takimin e javës së 10-të të Superiores, ku Tirana do të udhëtojë drejt Peqinit, për t’u ndeshur me Shkumbinin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA