Në daljet e tij publike, kryetari i PS, Edi Rama vuri në dukje se kryeministri Sali Berisha la në heshtje vrasjen e kryekomunarit socialist në Kukës.
Së dyti, Edi Rama vuri në dukje se kryeministri shpifi ndaj opozitës. “Turp për Sali Berishën që nuk nxori një fjalë goje për kryekomunarin e vrarë në Kukës, ndërkohë që edhe sot goja e grabitësit të votës së shqiptarëve nuk pushoi së nxjerri baltën e shpifjeve për opozitën. Sali Berisha ka dështuar në luftën me krimin. Sot krimi po kap majat më të larta pas vitit 1997 dhe policia e shtetit ka rënë në rezultatet më të ulëta në luftën me krimin”, ka deklaruar Rama.
Lideri i opozitës ka prekur edhe vrasjen e një viti më parë të deputetit të PS, Fatmir Xhindi, duke bërë përgjegjëse qeverinë për mungesën e zbardhjes së saj.
“Ne duam të dimë kush e vrau Fatmir Xhindin në prag të fushatës së shkuar dhe kush e vrau Remzi Veselin në prag të fushatës së ardhshme. Qeveria që nuk gjen dot autorët e vrasjeve makabër të kundërshtarëve të saj politikë duhet të largohet”, është shprehur Rama.
Ai ka rikonfirmuar projektin e opozitës për rinisjen e protestave, me qëllim rrëzimin e qeverisë Berisha, e cila sipas tij pas grabitjes së votave po grabit gjithcka që i del përpara.
“Ne do ngrihemi në protesta për largimin e qeverisë. Ka pesë vjet që ky zotëri, që shqiptarët nuk e kanë zgjedhur për kryeministër, kontrollon KRRT-në e Tiranës. Dhe ka më shumë se një vit që në Tiranë nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi, por megjithatë ai shpif e shpif që diçka të mbetet. Sepse Sali Berisha ka dështuar dhe nuk i ka mbetur asgjë tjetër përveç se asaj që bën hajduti i kapur me presh në duar, kur fillon e bërtet kapeni hajdutin!”, ka deklaruar Rama.
Kryetari Rama përmendi si akte korrupsioni të qeverisë importin e mbetjeve nga jashtë, fabrikat e cimentos dhe guroret në Krujë, mbrojtjen publike për ministren e Integrimit, akuzat e Dritan Priftit për kontrabandë nafte të zv/drejtorit të policisë Kulicaj, apo leja për ngritjen e një llotarie kombëtare private.
Top Channel