Piramida, Xhafaj: Vendimi antikushtetues

27/10/2010 20:00

Vendimi i miratuar në Parlament për kompleksin e ri parlamentar, sipas Partisë Socialiste, është antikushtetues.

Për selinë rozë, vendimi si në formë edhe në përmbajtje nuk është ligj, por merr formën e një akti nënligjor.

Në hierarkinë e normave, ku në krye qëndron Kushtetuta, më pas ligjet me shumicë të cilësuar, pastaj ligjet me shumicë të thjeshtë, akti nënligjor hartohet në bazë të ligjit dhe për të aplikuar ligjin. Në mungesë të ligjit, akti shmang rregullat kushtetuese.

“Vendimi i Kuvendit nuk ka referencë ligjore. Sipas nenit 118 të Kushtetutës, aktet nënligjore nxirren në bazë dhe për zbatimin e ligjit nga organet e parashikuara në Kushtetutë. Më thoni se cili është ligji që ka autorizuar daljen e këtij akti nënligjor? Nuk kemi një ligj të tillë. Pra, do të thotë se Kuvendi ka marrë një vendim i cili konsiderohet i pavlefshëm, i cili për shkak të kësaj reference ligjore konsiderohet antikushtetues. Për analogji është njësoj sikur presidenti të thotë sot unë dua të bëj kompleksin presidencial dhe për këtë të nxjerrë një dekret. Pra, e gjitha kjo është një marrëzi, një marrëzi ligjore, është në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe të ligjit”, ka deklaruar deputeti Fatmir Xhafaj.

Sipas zotit Xhafaj, vendimi cënon edhe parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve. Prishja e një godine dhe ndërtimi i një kompleksi përfshihen nga planifikimi urban dhe rregullimi i territorit, që janë kompetenca të Bashkisë. Së fundi, vendimi mbulon me terr, transparencën e fondeve publike.

“Përvec këtij komponenti antiligjor, është edhe mungesa e transparencës dhe e përdorimit të fondeve publike për mënyrën se si trajtohen taksat e shqiptarëve”, ka nënvizuar Xhafaj.

Zoti Xhafaj kujton se për kompleksin e ri parlamentar është bërë ndërkaq një konkurs dhe për ngritjen e Teatrit Kombëtar te ish-piramida, janë akorduar fonde të vecanta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA