Nëntori pa abone

27/10/2010 08:00

Studentët dhe qytetarët që përdorin në masë autobusët dhe blejnë abone, për muajin nëntor do të paguajnë biletën 30 lekë sa herë të marrin urbanin.

Shkak është bërë bllokimi i këshillit bashkiak. Mbledhja e munguar e këshilltarëve bashkiakë për të shqyrtuar problematikat e qytetit të Tiranës ka mbajtur peng çështjen e ngritur nga Shoqata e Transporteve për rregullimin dhe rishqyrtimin e tarifave për transport.

Ultimatumi i vendosur nga Shoqata e Transportit për Bashkinë e Tiranës merr fund në datën 31 tetor. Siç kërcënoi Shoqata e Transporteve, nëse nuk merreshin masa për këto tarifa atëherë shoqatat e transportit nuk do të njohin abonenë mujore. Nëse për dy apo tri ditë këshilli bashkiak i qytetit të Tiranës nuk do të mblidhet për të vendosur lidhur me tarifat që kërkon Shoqata e Transporteve, qytetarët do të shpenzojnë edhe më shumë për transport.

Ndërkohë që ende nuk është njoftuar asnjë mbledhje e këshillit bashkiak as për ditën e enjte dhe as për të premten. E shtuna dhe e diela zyrtarisht janë pushim.

Edhe pse nuk ka shifra zyrtare, sipas Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit rezultojnë të jenë rreth 20 mijë qytetarë që çdo muaj blejnë abone të përgjithshme, të linjave të caktuara të transportit kryeqytetas ku përfshihen edhe kategoria e studentëve.

“Gjatë muajit nëntor dhe në vazhdim do punojmë vetëm me biletë njëudhëtimshe, pra nuk do të shesim më abone. Kjo situatë do të vazhdojë për sa kohë nuk do të ketë zgjidhje për problemet nga autoritetet e pushtetit qendror dhe vendor”, tha një muaj më parë Ferdinant Ibrahimi, kreu i Shoqatës së Transporteve. Sipas tij, një tjetër shqetësim që kemi, është edhe fakti që nuk na njihet e drejta për kreditimin e plotë të TVSH-së për karburantin që shpenzohet nga transporti i udhëtarëve.

Shërbimi i transportit qytetas, urban të udhëtarëve, në vendin tonë, që prej 10 viteve, ushtrohet kryesisht, nga subjekte private, të licencuara nga bashkitë përkatëse. Ky shërbim është privatizuar plotësisht ose pjesërisht.

Sipas Shoqatës së Transportit në një vit udhëtojnë me bileta njëpërdorimshme dhe shumëpërdorimshe rreth 38-44 milionë persona.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA