
Partia për Drejtësi dhe Integrim kërkon që në formularin e regjistrimit të popullsisë dhe të banesave të përfshihet edhe deklarimi real i vendlindjes të një pjese të konsiderueshme të komunitetit çam, të cilët kanë lindur në Greqi dhe ju është mohuar e drejta e një deklarimi të tillë.
Në një prononcim për “Shqip”, kryetari i kësaj partie, Tahir Muhedini, thekson se hartimi i një formulari të tillë regjistrimi kërkon qetësi dhe një diskutim të gjerë me të gjitha grupet e interesit, kryesisht me komunitetin çam.
“Ne jemi të interesuar që në formular të theksohet qartë vendi i lindjes të përfaqësuesve të komunitetit çam, ku një pjesë e madhe e tyre e kanë në Çamëri, pra në Greqi dhe kjo e dhënë ju është modifikuar në mënyrë të shëmtuar gjatë regjistrimeve të mëparshme”, theksohen Muhedini.
Sipas tij, në mënyrë të prerë duhet të përfundojë praktika ku përfaqësuesve të komunitetit çam iu shënohet në dokumentacion fshati ose qyteti ku kanë lindur në Çamëri dhe në mënyrë absurde kjo vendndodhje shënohet sikur të jetë në Shqipëri. Kryetari i PDI-së, Muhedini, thekson se me këtë lloj regjistrimi që është bërë në të kaluarën janë shkelur konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe tashmë ka ardhur momenti që ky gabim i së shkuarës të gjejë korrigjim.
Top Channel