Krasiç, 2 ndeshje skualifikim

26/10/2010 15:15

Lojtari i Juventus, Milos Krasiç është skualifikuar për dy ndeshje me anë të provës Televizive.

Serbi, i cili do të mungojë ndaj Cesena dhe Milan, ka paguar simulimin në zonë që bëri në ndeshjen kundër Bologna-s, të dielën e kaluar.

Rrëzimi në zonë, “mashtroi” arbitrin De Marco i cili akordoi penallti për bardhezinjtë.

11-metërshi i goditur nga Iaquinta u prit më pas nga Viviano dhe ndeshja përfundoi në barazim 0-0.

Gjykatësi sportiv e ka konsideruar simulimin e Krasiç si gjest antisportiv dhe e ka dënuar me minimumin e mundshëm: dy ndeshje pezullim.

Juventus ka vendosur të apelojë vendimin duke u mbrojtur se në hedhjen në zonë të Krasiç nuk kishte paramendim, por ishte diçka instiktive.

Top Channel